Edmond Gashi, nga Qendra Gjermane e Informimit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë thotë se numri i emigrantëve të paligjshëm nga Kosova është ende i lartë.
Qendra Gjermane e Informimit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë (DIMAK), qysh prej tri vjetësh ofron në Kosovë informacion dhe këshillime rreth kushteve për migrim legal në Gjermani, mundësitë për arsim dhe aftësim profesional në Gjermani dhe mundësive për praktikë në Kosovë dhe Gjermani.
DIMAK, është një prej komponentëve të programit global ”Programi Migrim dhe Zhvillim”,(PME), i cili financohet nga Ministria Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillimin.
Në një intervistë për DW, Edmond Gashi, koordinator kombëtar në zyrën e DIMAK në Prishtinë, thotë se në këtë zyrë kanë kërkuar informacione dhe këshilla të paktën 46 mijë vetë, kryesisht të moshave të reja. Megjithatë, numri i personave që emigrojnë në mënyrë të paligjshme sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vazhdon të jetë i lartë, ndonëse në shifra shumë më të vogla sesa në vitin 2015./DW