Numri më i madh i fabrikave dhe objekteve në Tetovë janë djegur si pasojë e mungesës së hidrantëve

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Brenda vetëm disa muajsh, janë djegur dy fabrika në rajonin e Tetovës, ndërsa dy vitet e fundit, numri i fabrikave të djegura është pesë. Shkak për djegien e tërësishme të këtyre objekteve në pothuajse të gjitha rastet, ka qenë mungesa e hidrantëve për shuarjen e flakëve. Hidrantët janë ndër kushtet kryesore për marrjen e lejes së punës nga ana e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Shefi i njësisë kundër zjarrit në Tetovë, Avni Ameti, kërkoi që të respektohet Ligji dhe të mos jepen leje për përdorimin e objektit pa kontrolluar në terren nëse ka apo jo hidrantë.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka inspektorë dhe të njëjtët duhet të kontrollojnë dhe të japin leje për banim apo për punë. Unë në vazhdimësi kam bë apel që kjo drejtori të bëj kujdes kur do jep lejet për banim apo punë të fabrikës sidomos pas zjarreve dhe ndotjes alarmante në Pollog. Kështu që apeloj edhe një herë drejtorinë që të bëj kujdes kur të jep leje për punë apo banesave kolektive”, tha Avni Ameti, shef i NJTKZ Tetovë.

Kërkuam përgjigje edhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, pika në Tetovë, por nuk morëm përgjigje nëse do dalin apo jo në terren për të bërë kontrolle nëse fabrikat dhe objektet e reja kolektive, plotësojnë kushtet. Nga ana tjetër, hidrantët kanë dalë jashtë funksioni edhe në fshatrat e malësisë së Sharrit. Zëdhënësja e komunës së Tetovës Besarta Ramadani, për Alsat është shprehur se Ndërmarrja Publike komunale së shpejti do të del në terren për kontrollimin e hidrantëve në malësi dhe kthimin e tyre në funksion, me qëllim që të mos përseritet djegia e objekteve të banimit siç ishte rasti i fundit në fshatin Shipkovicë.

“Komuna e Tetovës do të del në terren dhe do kontroll situatën me hidrantët dhe atë se cilët janë në funksion dhe cilët nuk janë dhe do merren masa që gjithë hidrantët në fshatrat e malësisë së Tetovës të futen në përdorim që të parandalohen sa më shpejt zjarret kur ka nevojë. Ndërkohë çdo rrugë të re që e ndërton komuna ka vendosur edhe hidrantë që të jetë intervenimi në raste zjarresh sa më i lehtë”, u shpreh Besatra Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Në Tetovë, sipas informatave tona një numër i madh i objekteve kolektive të banimit që ndërtohen të reja por edhe punëtorive të mëdha, rezultojnë që në dokumente të kenë të vendosur hidrantët, por jo edhe nëpër objekte./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme