Gazetar: Mefail Ismaili
Edhe këtë vit nuk u hapën paralelet shqipe nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë në Shkollën e Idrizovës. Në shenjë proteste për mospërmbushjen e premtimit shumëvjeçar nxënësit bojkotuan mësimin ndërsa prindërit e tyre do të në protestë duke paralajmëruar edhe masa tjera.
“Duam ta paralajmërojmë kryetarin e Komunës së Gazibabës, ministrin Jeton Shaqiri dhe zëvendësministrin Agim Nuhiu se sot fillojnë protestat për paralelen e gjuhës shqipe që nuk po hapet disa vite. Ne kërkojmë që paralelja të hapet, kërkojmë që të mësojnë në gjuhën shqipe dhe të mos udhëtojnë fëmijët tanë nga 40 kilometra ditë për ditë si çdo vit”, tha Rizvan Seferi, prind.
Por nga Ministria e Arsimit thonë se ata presin kërkesën nga Komuna e Gazibabës për hapjen e paraleleve të reja. Por, kryetari i Komunës së Boban Stefkovski thotë se shkolla aktuale nuk i plotëson kushtet dhe as nuk ka kuadër. andaj herë ka dorëzuar kërkesë në Qeveri dhe Ministrinë e Arsimit për ndërtimin e shkollës së re, njërën rreth tetë muaj më parë ndërsa tjetrën në fillim të muajit gusht, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje konkrete.
“Unë kam dorëzuar shkresë deri në Ministrinë e Arsimit, para disa kohësh dorëzova përsëri shkresë edhe deri në Qeveri, deri në Ministrinë e Transportit dhe Ministrinë e Arsimit ku potencoj lokacion konkret për ndërtimin e shkollës së re, që ajo të jetë e inkuadruar në programin për përpunimin e dokumenteve planifikuese në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Dhe sa të kryhet kjo procedurë të ulemi si institucione përgjegjëse për këtë çështje dhe të bëjmë marrëveshje për mënyrën e financimit të shkollës së re”, u shpreh Boban Stefkovski, kryetar i komunës së Gazi Babës.
Ndërtimi i shkollës së re në fshatin Idrizovë u premtua në vitin 2019. Atëkohë në Idrizovë zbarkuan Arbër Ademi si ministër i Arsimit, Muhamet Zeqiri si sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Artan Grubi si deputet dhe ish kryetari i Komunës Borçe Georgievski duke thënë para banorëve se ndërtimi i objektit të ri të Shkollës është zgjidhje afatgjate.
“Ajo që u dakorduam ajo që u morëm veshtë është që të gjejmë një zgjidhje afatgjate, zgjidhja afatgjate është përmes ndërtimi i një objekti të ri shkollorë në fshatin Idrizovë dhe atë për të gjithë fëmijët e të gjitha bashkësive etnike”, theksoi Arbër Ademi, ish-ministër i Arsimit.
Por, edhe pas katër viteve, deklaratat e këtilla të autoriteteve mbeten vetëm premtime./ Alsat.mk