Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme iu rikthyen bankave shkollore

Gazetare: Melihate Rustemi

Takimi nxënës-mësimdhënës ishte përplot emocione thuajse në të gjitha shkollat e vendit në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor. Në shkollën e re fillore “Vizbeg” nuk kishte hapje solemne të objektit të ri shkollor pavarësisht pritjes me dekada nga banorët. Në këtë shkollë për momentin janë regjistruar 260 nxënës nga klasa e parë deri në të pestën. Nxënësit, posaçërisht ato të klasës së parë u pritën nga drejtori dhe përfaqësuesit e komunës së Butelit në mungesë të stafit mësimor.

“Do të duhet të presin derisa oficialisht të nis mësimi në shkollën fillore të Vizbegut. Për momentin të gjitha kërkesat edhe të personelit teknik edhe të mësimdhënësve, të gjitha janë në ministri dhe të gjitha i presim që të na vijnë pozitivisht. Si e pranuan prindërit se këto ditë fëmijët nuk do të jenë në shkollë? E pranuan disa mirë, disa jo dhe thjesht kjo është e tëra dhe do të duhet të presim që brenda këtyre dy-tre ditëve në mënyrë më të shpejtë ti kryejmë procedurat dhe ta finalizojmë këtë çështje”, tha Kadri Elezi, drejtor i sh.f “Vizbeg”.

Pavarësisht që disa ditë do të jenë larg shkollës, nxënësit që tashmë janë regjistruar në klasë të parë me padurim presin takimin e parë me mësuesit.

“Shumë jam e gëzuar që kam filluar klasa e parë, do të mësoj shumë vjersha edhe këngë. Unë i kam mësuar shkronjat edhe numrat. Edhe kam mësuar të shkruaj emrin tim”, tha një nxënëse.

“Sot e kemi filluar klasën e parë edhe shumë do të mësojmë. Deri tash i kam mësuar numrat deri në 100”, tha një nxënëse.

Pavarësisht akuzave për vonesa, ministrja e Arsimit Vesna Janevska siguroi se në çdo shkollë do të ketë asistentë për çdo fëmijë me nevoja të posaçme.

Ky proces nuk është i vonuar, gjithnjë është i tillë. Numri i nxënësve me nevoja të posaçme arsimore ndryshon çdo vit. Ne nuk mund ta dimë sa fëmijë do të regjistrohen në klasë të parë. Komisioni i vlerësimit funksional edhe këto ditë miraton asistentë shtesë. Procesi po zhvillohet në rendin më të mirë, nuk është aspak vonë. Po e përsëris, inkluzioni nuk është vetëm asistent arsimor por një sistem i tërë”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Janevska gjithashtu njoftoi se aktualisht po bëhen analiza për rigoranizimin e shkollave. Do të mbyllen ato me pak nxënës ndërsa në qytet në shkollat e mbipopulluara do të parashikohen mundësi për ndërtimin e hapësirave shtesë ose objekteve të reja./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme