Suzana Shkreli, kandidatura shqiptare për Kongresin në Shtetet e Bashkuara duket se po realizon ëndrrën amerikane…
Asistente-prokurorja Shkreli ka marrë mbështetjen e Presidentit Barack Obama ndërsa kandidon për postin e përfaqësimit të zonës së Miçiganit në Kongres.
E para shqiptaro-amerikane që kandidon për një post të tillë, ajo u përshkrua nga shefi i Shtëpisë së Bardhë si një lidere e fortë dhe e zgjuar.
“Jam krenar të mbështes Suzana Shkrelin. Ajo ka aftësinë për të mbrojtur sigurimet shoqërore dhe ‘Medicare’. Ndaj në Kongres ajo do të jetë lloji i lideres që ne kemi nevojë për të krijuar një vend më të fortë, me të drejtë dhe më të ndershëm për të gjitha familjet punëtore. Të gjithë qytetarët e Miçigan duhet të besojnë tek Suzanna Shkreli”, deklaroi Obama.
Obama gjithashtu shprehu besim se Shkreli do të luftojë për të mbrojtur të drejtën e gruas për të zgjedhur, dhe njëherësh do t’i japë fund barrës dërrmuese të kredive studentore.
Suzana Shkreli u shpreh se ndihej më shumë se e nderuar nga kjo mbështetje që ka marrë, dhe se Obama i ka dhënë zemër. Si demokrate , ajo shpreson të mundë republikanin Mike Bishop. Edhe pse fronti republikan prej vitesh ka dominuar në Miçigan analistët thonë se në përgjithësi fushata e Donald Trump mund të ndikojë jo vetëm në zgjedhjet presidenciale.
“Prishja e imazhit” prej tij mund të sjellë fitoren e përfaqësueses demokrate shqiptaro-amerikane Suzana Shkreli./Top Channel