Shtypi amerikane njofton se shefat e lartë të zbulimit ushtarak i kanë kërkuar presidentit Barack Obama të shkarkojë nga detyra shefin e Sigurisë Kombëtare, Michael Rogers.
Gazeta Washington Post njofton se Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter dhe Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper e bënë rekomandimin muajin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë për të hequr admiralin Michael Rogers, i cili kryeson Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Komandën Kibernetike të ushtrisë.
Kryetari i Komisionit të Kongresit për çështje të Zbulimit Devin Nunes i ka thirrur këta të dy për të dëshmuar para komisionit brenda këtij viti në lidhje me kërkesën e tyre, njofton VoA.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili po konsideron ta emërojë Michael Rogers në një post të zbulimit në administratën e tij, zhvilloi një intervistë me admiralin Rogers enjten. Zyrtarët e administratës u befasuan nga ky takim ndërkohë që Shtëpia e Bardhë mund të jetë duke shqyrtuar largimin e tij.
Presidenti Obama e vendosi admiralin Rogers në krye të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në vitin 2014, pas nxjerrjes masive të informatave të sigurisë nga kontraktori Edward Snowden. Më shumë rrjedhje informatash kanë ndodhur që nga ajo kohë. Në gusht, Byroja Federale e Hetimeve arrestoi Harold Martin, një specialist i kontraktuar nga kjo agjenci, për të cilin thuhet se ka vjedhur materiale të klasifikuara të mjaftueshëm për të mbushur rreth 200 kompjuterë laptopë.