Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahemtaj, në vazhdën e aktiviteteve për të fuqizuar përkrahjen për rrugën evropiane të Kosovës, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Ministrja falënderoi Ambasadorin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Britania për Kosovën në zhvillimin e vendit dhe përkrahjen në arenën ndërkombëtare, posaçërisht, duke përkrahur kauzën e Kosovës gjatë negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Ascoiimit dhe për të avancuar në tërësi me agjendën evropiane.
Gjatë takimit, më në detaje u diskutua për zhvillimet në kuadër të procesit të integrimit evropian, zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalojnë institucionet dhe shoqëria e Kosovës me implementimin e MSA-së, proceset që ndërlidhen me agjendën evropiane të Kosovës, nga zhvillimi i politikave gjeostrategjike , zhvillimet në rajon dhe deri tek lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.
Njëkohësisht u diskutua edhe për debatin e djeshëm ku Parlamenti Evropian (PE) miratoi rezolutën për Kosovën që rikonfirmon përkrahjen për Kosovën dhe të ardhmen e saj në familjen evropiane si pjesë përbërëse e saj, sikurse edhe ftesa që iu bë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të procedojnë me miratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në mënyrë që edhe Parlamenti Evropian të shtyjë përpara çështjen e liberalizimit të vizave.
Ndërsa ambasadori O’Connell i konfirmoi ministres përkrahjen e fuqishme të Britanisë së Madhe për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e shtetndërtimit dhe avancimit në marrëdhëniet e jashtme.
“Po ashtu, Kosova ka hyrë në një momentum të ri me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe të vazhdojë komunikimin e avancuar me publikun, Shoqërinë Civile dhe deputetët të vazhdojnë të jenë pjesë përbërëse në zbatimin e MSA-së”, ka thënë ambasadori britanik.
Ambasadori O’Connell po ashtu theksoi se Britania, edhe përkundër vendimit për dalje nga Bashkimi Evropian, do të vazhdoj të përkrah Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërë procesin e reformave. Po ashtu, ambasadori tha se e ardhmja e Kosovës është e përbashkët me të ardhmen e rajonit në BE.