Pas denoncimeve publike të bëra nga shtetasi 39 vjeçar, Arsen Qose i cili pretendon se është dhunuar nga efektivët dhe këta të fundit i kanë thyer duart ka reaguar edhe Policia e Tiranës.
Në përgjigjien e saj, zyra për shtyp e policisë thekson se Qose kishte pasur një konflikt me pronarin e hotelit ku po qëndronte.
Shërbimet e policisë shkuan në vendngjarje, por 39-vjeçari duke mos pranuar të shoqërohej në komisariat, kishte goditur efektivët të cilët më vonë u trajtuan dhe në spital për dëmtimet e shkaktuara.
Pas këtij momenti në ndihmë të efektivëve kanë ndërhyrë edhe patrullat e tjera.
Sqarim i Policisë Tiranë
Në lidhje me pretendimet e shtetasit të arrestuar A. Q., 39 vjeç, banues në Tiranë, se Policia ka ushtruar dhunë ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:
Më datë 14.04.2022, është bërë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, i shtetasit A. Q., 39 vjeç, banues në rrugën “Jordan Misja”, i dënuar më parë për vjedhje, informacion i dhënë dhe për mediat e publikun.
Sqarojmë se me datë 13.04.2022, shtetasi A. H., pronar i një hoteli në rrugën e Dajtit, ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të Policisë, sepse kishte konflikt me një shtetas, (klient në hotel), pasi ky i fundit kishte dalë i zhveshur nga dhoma e hotelit.
Shërbimet e Policisë, kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë, në ambientet e lokalit të hotelit, dhe pasi kanë marrë kontakt me palët e konfliktit, i kanë kërkuar shtetasit A. Q., që të identifikohej.
Shtetasi A. Q., nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit dhe ka kundërshtuar me dhunë dy punonjësit e Policisë, duke i ofenduar, goditur e duke iu shkaktuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Në ato momente, shërbimet e Policisë, duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorte ky shtetas, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve, për shkak të situatës së krijuar nga dhuna që shtetasi A. Q. po përdorte.
Pasi është bërë prangosja e tij dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit, duke marrë shkas nga sjellja shumë agresive dhe nga veprimet tepër të dhunshme, është njoftuar ambulanca dhe është dërguar në spital, dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore, nga stafi mjekësor, është komunikuar se dyshohej se shtetasi A. Q., mund të ishte nën efektin e drogërave shumë të forta.
Pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 4., ku është bërë arrestimi i tij.
Njëkohësisht punonjësit e Policisë janë pajisur me vendime ekspertimi mjeko-ligjor, pasi u dëmtuan si pasojë e dhunës dhe veprimeve agresive nga shtetasi A.Q
Sqarojmë opinionin publik se veprimet e Punonjësve të Policisë janë kryer në përputhje me ligjin dhe procedurën standarte të punës./GSh