Kombet e Bashkuara (OKB) paralajmëruan se 200 mijë fëmijë mund të vdesin nga uria deri në fund të vitit 2023 në Mali nëse nuk dërgohen ndihmat e nevojshme, transmeton Anadolu.
Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i OKB-së publikuan një deklaratë të përbashkët lidhur me çështjen.
Në deklaratë thuhet se deri në fund të vitit rreth 1 milion fëmijë të moshës nën 5-vjeç mund të shtyhen në kequshqyerje akute, për shkak të konflikteve të vazhdueshme, shpërnguljeve dhe ndihmave të kufizuara humanitare.
Tërhiqet vëmendja se pothuajse çereku i popullsisë së Malit po lufton me pasigurinë ushqimore dhe se 2.500 persona përfshirë edhe fëmijë janë të rrezikuar nga uria në rajonin Menaka.
Më tej theksohet se në një periudhë ku ka shumë probleme në botë, nuk ke “të drejtë të zgjedhësh kë të shpëtosh” dhe se është shumë e rëndësishme që të gjendet zgjidhje në mënyrë të shpejtë ndaj krizës humanitare në Mali.
“Nëse Malit nuk i dërgohen ndihmat e nevojshme, 200 mijë fëmijë mund të vdesin nga uria deri në fund të vitit 2023”, paralajmërohet në deklaratën ku nënvizohet se pavarësisht seriozitetit të situatës, fondet e ndihmës ndaj vendit janë në nivel shumë të ulët.