Agjencia e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi se në tre javët e fundit një milion palestinezë janë detyruar të largohen nga qyteti Rafah në jug të Rripit të Gazës që ndodhet nën objektivin e sulmeve të Izraelit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga llogaria e UNRWA-së në X jepet informacion lidhur me situatën në qytetin Rafah. Në deklaratë thuhet se në tre javët e fundit një milion palestinezë migruan nga Rafah në pjesë të ndryshme të Gazës për t’u shpëtuar sulmeve të ushtrisë izraelite.
Më tej bëhet e ditur se këta njerëz të cilët nuk kanë në vend të sigurt ku mund të shkojnë, po largohen nga sulmet që vazhdojnë. Duke tërhequr vëmendjen për mungesën e ushqimit dhe ujit, në deklaratë thuhet se çdo ditë e më shumë po bëhet pothuajse e pamundur të sigurohet ndihmë dhe mbrojtje për palestinezët në Gaza.
UNRWA në deklaratën e saj më 20 maj njoftoi se brenda dy javësh mbi 810 mijë palestinezë janë detyruar të largohen nga Rafah në të cilin ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj.
Më 7 maj ushtria izraelite filloi ofensivë tokësore në Rafah të Gazës dhe njoftoi se ka marrë nën kontroll pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për ndalimin e sulmeve, më 26 maj Izraeli bombardoi tendat e palestinezëve të zhvendosur në qytetin Rafah. Si pasojë e sulmit, përfshirë 23 gra, fëmijë dhe të moshuar humbën jetën të paktën 45 palestinezë ndërsa 249 të tjerë u plagosën.