OKH “Merhamet” – Shkup: Të ndalet terrori izraelit në vendet e shenjta myslimane!

Derisa jemi në ditët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, me dhimbje e keqardhje po i ndjekim edhe pamjet e zjarrit dhe gjakut, që vijnë nga Jerusalemi, më saktë nga Mesxhidul Aksaja e shenjtë.
Shteti i Izraelit, duke mos pas kurrfarë ndjeshmërie për traditën fetare të tjetrit, si dhe duke harruar se para më pak se një shekulli ishin pikërisht hebrenjtë viktima, këto ditë ka vendosur që ta dëshmojë forcën e tij mbi popullatën e pambrojtur palestineze të Jerusalemit, duke shkaktuar vrasje e plagosje, por edhe djegie të objekteve të Mesxhidul Aksasë, kibles së parë të myslimanëve, të përmendur edhe në Kuranin Famëlartë.

Duke e gjykuar këtë veprim si terror, OKH “Merhamet” konstaton se kështu janë lënduar edhe ndjenjat e mbarë myslimanëve të botës, sepse Aksaja është në zemrën e secilit mysliman, pavarësisht se në cilin kënd të botës jeton. Përveç kësaj, gjykuar edhe sipas konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave fetare, pamjet e gjakut dhe të zjarrit në vendet e shenjta dhe në muajin e shenjtë janë dëshmi se ushtruesi i kësaj dhune nuk respekton

asnjë shenjtëri tjetër religjioze dhe se gjuha e tij e vetme është dhuna.
Prandaj, si organizatë që angazhohemi gjithnjë për mbrojtjen e vlerave të shenjta, të drejtësisë dhe të viktimave, për ne veprimi izraelit mbi vendet e shenjta është terror eklatant dhe, si i tillë, presim të gjykohet edhe nga gjithë bota tjetër e qytetëruar.
Si popull që para njëzet viteve e kemi vuajtur agresionin e ngjashëm dhe që çdo vit i kujtojmë viktimat e atij terrori, ndjejmë për detyrim që – më shumë se gjithkush – të vihemi në anën e viktimave dhe ta mbrojmë të drejtën e tyre. Aq më shumë që kur ne ishim para tytave, gjithë bota e qytetëruar ishte me ne.

Nisur nga kjo, ne i bëjmë thirrje Shtetit të Izraelit që ta ndalë këtë dhunë, të ketë respekt për shenjtërinë e myslimanëve dhe, përkundër insistimit të dhunshëm, të bindet se Jerusalemi do të mbetet gjithnjë selia e shenjtë e më shumë religjioneve.

Mbetemi me shpresë se Organizata e Kombeve të Bashkuara, Organizata e Konferencës Islamike, Bashkimi Europian etj. do të ndërmarrin veprime që ky terror të ndalet, ndërsa – me këtë rast – u bëjmë thirrje edhe organizatave të tjera të mbrojtjes së të drejtave të njeriut që ta gjykojnë këtë terror dhe të vihen në mbrojtje të popullatës civile e të pambrojtur palestineze. Heshtja para skenave të tilla përveç që është e turpshme, në kuptimin etik, është edhe nëpërkëmbje e vlerave mbi të cilat sot thirret bota e qytetëruar. Pavarësisht kush është autori dhe kush viktima e terrorit, parimi i gjykimit është i njëjtë.
OKH MERHAMET
Shkup, 11.05.2021

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme