“Open Ballkan”/ Kriza me rrymën, vendet i kërkojnë ndihmë BE-së

Gazetar: Mefail Ismaili

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, NGA Beogradi ku po merr pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur tha se për rajonin dimri do të jetë më i vështiri që prej Luftës së Dytë Botërore, shkruan Alsat.

Ai tha se për të dalë më lehtë nga kjo krizë energjetike duhet bashkëpunimi i fortë i vendeve të rajonit dhe ky është thelbi  i Ballkanit të Hapur.

“Dimri do të jetë i gjatë dhe më i vështiri që prej Luftës së Dytë Botërore. Është më mirë t’i mbijetojmë së bashku sesa më vetë, ky është thelbi i Ballkanit të Hapur. Si fqinjë të mirë e kemi ndihmuar njëri-tjetrin gjatë covid. Do të ndihmojmë njëri-tjetrin nëse përballemi me mungesa në tregun tonë vendas. Nuk do të ketë ndalesa tregtare, qeveritë tona kanë punuar për të rritur prodhimin vendas të ushqimit. Ne po përballemi me çështje të përbashkëta. Ne kemi rënë dakord edhe për përballimin e mungesës me energji elektrike. Maqedonia e Veriut ka angazhuar kapacitetin e gjeneratorëve të energjisë elektrike. Kjo është në interes të të gjitha vendeve të rajonit. Nëse punojmë së bashku në afat të mesëm e të gjatë për energjinë elektrike sidomos të ripërtërishme”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se do t’i drejtohen BE-së me një letër për të kërkuar mbështetje financiare për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Serbinë. Ai deklaroi se Shqipërisë do t’i duhen afro gjysmë miliardë euro për të përballuar krizën energjetike këtë dimër  që parashikohet të jetë i vështirë.

“Presim muaj shumë të vështirë. Kemi para 7 muaj shumë të vështirë dhe për Shqipërinë kjo do të thotë në rastin më të mirë, afro gjysmë miliardi euro. Kjo do të shkojë për mbajtur sistemin, për të vazhduar furnizimin me energji dhe për të mbështetur konsumatorët. Ju e dini çfarë do të thotë kjo. I drejtoj BE-së apelin e përsëritur që të mos bëjë me ne turpin që bëri në kohën e pandemisë. E mbaj mend shumë mirë sesi vendet e Ballkanit u detyruan të vraponin në Kinë, Rusi e Turqi për të nisur operacionin e shpëtimit të infermierëve e mjekëve nga vaksinimi, sepse BE u mbyll dhe pa veten brenda mureve të kështjellës së vet. Na duhet një europë politike, një bashkim për të mos përsëritur situatën e pandemisë”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Në mes të Beogradit, kryeministri shqiptar Edi Rama lavdëroi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq se përmes marrëveshjes për dokumente ka dhënë sinjale paqeje me Kosovën. Ai tha se Kosovës nuk do t’i duhej të humbte aq shumë kohë dhe energji për ta zgjidhur çështjen e lëvizjes me letërnjoftime me Serbinë, nëse do të kishte qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Sot dua të them me krenari dhe kënaqësi se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhja e Ballkanit i Hapur. Dje ia kam thënë një gazetare serbe se nuk do të kishte qenë nevoja të humbet gjithë ajo energji që Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në Ballkanit të Hapur. Për këtë dua t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke materializuar këtë zgjidhje ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë. Zgjedhja e parë, është paqja dhe zgjidhja për njerëzit”, theksoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Presidenti serb Vuçiq tha se përmes “Ballkanit të Hapur” Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë lidhur më shumë me njëra-tjetrën dhe se marrëdhëniet e tyre janë në maksimumin historik.

“Pavarësisht faktit se disa nuk janë ende pjesë e nismës, ndoshta disa të tjerë nuk do të jenë, ne mund të zhvillojmë bashkëpunim të suksesshëm dhe nuk besoj se bëj gabim të them se marrëdhëniet tona në Ballkanin Perëndimor mes tre vendeve tona janë në maksimumin historik. Më kujtohet takimi i parë pas 70 vitesh pas takimit të Titos dhe Enver Hoxhës, kur u takuam unë e Edi Rama. Ishte një takim me energji të jashtëzakonshme politike, ndërkohë sot janë takime miqësore, bizneset dhe qytetarët tanë po kuptojnë shumë më mirë njëri-tjetrit”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Pjesë e këtij samiti ishin edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje dhe Hercegovina, Zoran Tegeltija. Ndërkohë, përkrahje ofroi edhe ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto. Deri më tani, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina zyrtarisht nuk i janë bashkuar nismës, ndonëse përfaqësuesit e Bosnjës, për herë të dytë po marrin pjesë si të ftuar në takimet e kësaj nisme./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme