Dy persona janë arrestuar gjatë një aksioni antidrogë në Vlorë, ku dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të cilët transportonin lëndën narkotike në Vlorë, për t’ua shitur shtetasve të tjerë që i shpërndanin në doza.
Gjatë këtij operacioni policia ka sekuestruar rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 000 euro.
Njoftimi i policisë Vlorë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale, me mbështetjen e inteligjencës informative, operacioni policor i koduar “VORTEX”.
Transportonin sasi të lëndëve narkotike në Vlorë, për t’ua shitur shtetasve të tjerë që i shpërndanin në doza, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 000 euro.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar, pas 4 javësh hetime, operacionin policor të koduar “VORTEX”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të dy banues në Fier.
Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur.
Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdhaja në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza.
Lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.