Tre persona janë arrestuar me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit të koduar ‘Flakë në det’.
Operacioni i ndërmarrë vitin e kaluar çoi në pranga dhe një Komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, që dyshohej se shoqëronte të njohurin si ‘baronin e drogës’, Gëzim Çela, dhe anëtarë të tjerë të grupit të drogës.
Sipas njoftimit, GjKKO ka pranaur kërkesën e SPAK dhe ka vënë në pranga shtetasit me inicialet A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Njoftimi:
Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024.
Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregëtare.
Operacioni
Kujtojmë se operacioni që solli 6 persona në pranga pretendohet se ka zbuluar edhe një vend bazë për grumbullimin e lëndës narkotike që lidhet me lokalin luksoz pronë e familjes Çela, ku Gëzim Çela prej më shumë si një dekade është pakëzuar edhe me nofkën ‘baroni’. Operacioni i policisë në det, rreth 18 milje larg zonës së Lagunës së Patokut, rezulton të ketë pasur edhe një personazh të shtatë i cili ka mundur të arratiset teksa policia kryente bastisjen.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza arriti të godasë grupin e 6 trafikantëve në zonën e Fushë-Kuqes, të cilët u kapën në flagrancë pasi shkëmbyen kanabisin për kokainë me anë të mjeteve lundruese gomone e velierë në mes të detit Adriatik.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se trafikantët do të kryenin shkëmbim të kokainës me kanabisin që ndodhej në gomonen e nisur nga Laguna e Patokut në Kurbin, ndërkohë që prangave iu ka shpëtuar Arben Dalipaj, i njohur me nofkën “Kapelja”, i cili dyshohet se ka qenë drejtuesi i gomones që u nis nga lokali “Royal Blue”, Patok, së bashku me të dyshuarin Besnik Brokeri.
E ndërsa ky i fundit u arrestua në flagrancë në këtë mjet lundrues, ‘kapelja’ është zhdukur. Sipas dosjes, ‘kapelja’ kishte komunikim me ish-policin Ismailukaj, kjo pas këqyrjes së aparatit telefonik të ish-policit.