Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin kundër mashtrimit ekonomik të zhvilluar ditën e sotme.
Në pranga kanë rënë 17 persona, banues të kryeqytetit dhe Shkodrës.
Sakaq, blutë njoftojnë se janë zhvilluar kontrolle në 32 ambiente, nga ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.
Aksioni është ende në vijim, ndërsa operacioni i sotëm është rezultat i një hetimi disamujor.
Njoftimi i policisë
Në përgjigje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se:
Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.
Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.
Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët.