Partitë opozitare në këmbë për të kundërshtuar dërgimin e Lubomir Fërçkovskit ambasador në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. E quajnë skandal diplomatik, shkruan Alsat.
VMRO-DPMNE-ja thotë se Presidenti Stevo Pendarovski i cili dekretoi vendimin për detyrën e re të Fërçkovskit ka shkelur procedurën.
“Kushti ligjor nga neni 39 i ligjit për politikë të jashtme për prezantim para komisionit parlamentar nuk është përmbushur dhe me këtë Kuvendi dhe opinioni nuk kanë pasur mundësi të bëjnë kontroll mbi pushtetin ekzekutiv siç është presidenti dhe vetë ambasadorët. Por kam një mesazh, nëse Presidenti Pendarovski sot ka vendosur për çfarëdo arsyesh në mënyrë joligjore ta drejtojë Fërçkovskin për ambasador, më shpejtë se sa e mendojnë do të vijë dita kur Fërçkovski në mënyrë ligjore do të kthehet në vend”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Aleanca për Shqiptarët e kujton Fërçkovskin si albanofob dhe person non-grata për SHBA-në.
“Si ideolog i SDSM-së dhe ish ministër i policisë, ai ka zbatuar metoda përgjimi të njëjta me ato të Gruevskit dhe ka qenë skenaristi i masakrës së Bit Pazarit, i Aferës së Armëve dhe i shumë epizodave tjera të shtypjes së shqiptarëve, për të cilat kurrë nuk është përgjigjur. Gjatë luftës së 2001-shit, ai përhapte teza millosheviçiane dhe gjenocidale duke bërë thirrje për dëbim të shqiptarëve përtej Adriatikut. Viteve të fundit, ai i ka cilësuar publikisht shqiptarët si “pleme”. Dhe e treta, ndoshta më e rënda në rrafshin diplomatik, ka të bëjë me faktin se Fërçkovski është persona non grata, apo i padëshirueshëm në SHBA”, u shpreh Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Nga Kabineti i Presidentit Stevo Pendarovski një ditë më parë njoftuan se është dekretuar vendimi për emërimin e Fërçkovskit ambasador në Kombet e Bashkuara në Nju Jork pasi procedura qëndronte e bllokuar në Kuvend që në qershor të vitit të kaluar, në komisionin parlamentar me të cilin kryeson deputeti Antonio Milloshoski i VMRO-DPMNE-së. Sipas tyre, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore edhe pse Kuvendi nuk e ka miratuar emrin e tij. /Alsat.mk