Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se arrestimet e ish-krerëve të UÇK-së me kërkesë të Serbisë janë çmimi që Kosova po e paguan pasi ka pranuar të bisedojë me Serbinë me kushte jo të barabarta dhe për çështje që kanë të bëjnë vetëm me Kosovën, shkruan sot, gazeta Zeri.
“Ky ka qenë problem i vazhdueshëm për Kosovën dhe ka kulmuar me ndaljen e Haradinajt në Francë, atëherë Qeveria e Kosovës gjënë e parë, po jo të vetmen, që do të duhej ta bënte është ndërprerja e bisedimeve me një shtet që e ka shpallur veten armik të shqiptarëve. Ky nuk do të duhej të ishte kushti i vetëm, reciprociteti dhe barazia do të duhej të ishin kusht për bisedime të përbashkëta e jo për çështje të brendshme të Kosovës”, është shprehur Selimi.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se kushtëzimi i dialogut me largimin e fletarrestimeve të Serbisë do të kishte efekt pozitiv.
“Kosova përballë Serbisë nuk po tregon identitet shtetëror dhe rezoluta e fundit ka qenë në frymën e asaj që rasti i Ramush Haradinajt është arsye për të treguar identitet shtetëror. Por për vetë faktin që Kosova nuk është në gjendje që as kushtëzimin më të vogël t’ia bëjë Serbisë, edhe për çështjen e fletarrestimeve, tregon se kjo çështje do të jetë problematike për një kohë të gjatë derisa në pushtet është kjo garniturë njerëzish”, ka deklaruar Berisha për “Zërin”.