Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut zhvillohet debat i ashpër në lidhje me projektligjin për regjistrimin e popullsisë, që i hap rrugë regjistrimit të popullsisë nga 1 deri më 22 prill të këtij viti.
Deputetët e VMRO DPMNE-së kanë mbrojtur qëndrimin që propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë të tërhiqet nga procedura parlamentare, në të kundërtën, siç kanë thënë, do të ngritin iniciativë për abrogimin (anulimin) e të njëjtit.
Por, shumica parlamentare ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që VMRO DPMNE-ja të bllokojë edhe një proces regjistrimi duke shtuar se regjistrimi i popullsisë bëhet në pajtueshmëri me standardet e EUROSTAT-it.
Për opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE, mbetet e papranueshme që projektligji për regjistrimin e popullsisë po shkon drejt miratimit pa u hartuar metodologjia e zbatimit të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Për VMRO DPMNE-në, gjithashtu, kontestuese është që të regjistrohen edhe personat që janë me punë të përkohshme jashtë vendit.
“Regjistrimi si proces statistikor, duhet të pasqyrojë gjendjen reale të popullsisë së shtetit, pra bëhet fjalë për regjistrim të popullsisë, mendohet të popullsisë rezidente që të bëhen planifikime në interes të qytetarëve që jetojnë këtu, përkatësisht hartimin e politikave ekonomike, ato shëndetësore, arsimore, kulturë etj. Pra, regjistrimi na nevojitet për të hartuar politika për qytetarët që jetojnë këtu. E kuptoj duhet të kemi dhe një regjistër për diasporën, sepse bëhet fjalë për statistikë, por të paktën të definohen si qytetarë jorezidentë”, ka theksuar deputetja e VMRO DPMNE-së, Gordana Silajnovska-Davkovska.
Përderisa zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu, i cili është nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, ka theksuar se në regjistrimin e popullsisë që parashihet të realizohet gjatë pranverës së vitit 2021, do të përfshihen edhe të gjithë ata të cilët punojnë jashtë vendit.
Sipas Nuhiut, për sa i përket besueshmërisë së procesit të regjistrimit mes dy etniteteve më të mëdha në shtet mbetet dhe nënshkrimi i lidhur ndërmjet drejtorit, i cili është maqedonas dhe zëvendësdrejtorit shqiptar të Entit Shtetëror të Statistikave.
“Me këtë përcaktim rritet objektiviteti, transparenca, kolegialiteti i punës në Entin Shtetëror të Statistikave dhe flaket çdo dyshim për sa i përket procesit të besueshmërisë”, ka theksuar Nuhiu.
Nga ana vjetër, opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, është ankuar se shumica parlamentare i ka pamundësuar që të ndërhyjnë në këtë ligj përmes amendamenteve.
Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simonovski, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucioni që drejton, ka bërë të gjitha përpjekjet që të realizohet një proces i besueshëm i regjistrimit të popullsisë në përputhje me standardet e përcaktuara nga EUROSTAT-i.
Duke komentuar kërkesën e VMRO DPMNE-së që të shtyhet sërish procesi i regjistrimit të popullsisë, Simonovski ka theksuar se çdo shtyrje ka kosto të lartë për sa i përket hartimit të politikave të shëndosha për të ardhmen e qytetareve. Siç është shprehur Simonovski, për dallim nga aspekti politik ku në pikë të parë mbetet përbërja e përkatësisë etnike, në shtet shumë më e rëndësishme nga numrat që do të dalin nga regjistrimi i popullsisë, janë trendët ekonomik dhe social, si dhe shumë çështje tjera.
“Do të thotë se më nuk kemi kohë për të shtyrë procesin e regjistrimit të popullsisë. Neve na duhen të dhënat të paktën për dhjetë vjetët e fundit, të cilat të dhëna ne nuk i kemi pasi regjistrimi i fundit është realizuar para më shumë se 18 vjetëve dhe për këtë arsye më shumë institucione nuk mund të zhvillojnë plane për zhvillim, sepse u mungojnë dhënat reale për sa i përket popullsisë – të dhëna këto që mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit”, ka thënë Simonovski.
Përbërja etnike e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, mbetet në fokus të vëmendjes së politikës pasi në Kushtetutën e shtetit, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj, janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Regjistrimi i popullsisë shihet dhe si filtër i listës zgjedhore, e cila për shumë procese zgjedhore është paraqitur si burim i mungesës së besueshmërisë së rezultatit zgjedhor.
Procesi i regjistrimit, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ishte ndërprerë gjatë vitit 2011. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002./REL