Gazetare: Ajnur Bafqari
LSDM e mbështet modelin me një njësi zgjedhore, lista të hapura e madje edhe vendim për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend. Por, sipas koordinatorit të grupit parlamentar të kësaj partie, Oliver Spasovski, për t’u sjellë një vendim i tillë, nevojitet konsensus nga të gjitha subjektet politike në vend. Gjatë intervistës në Alsat, Spasovski tha se legjislacioni zgjedhor nuk guxon të preket pa pajtimin e të gjithve.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, ne jemi për një njësi zgjedhore, jemi për lista të hapura, mbështesim madje edhe vendim për uljen e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë…Gjithsesi se Kodi zgjedhorë dhe përcaktimi i legjislacionit zgjedhorë, duhet të shkojë në mënyrë konsensuale, ashtu siç ka qenë në 30 vitet e fundit. Megjithatë jo vetëm konsensus mes partive që janë në Kuvend, mes partive të mëdha dhe kështu me radhë, por të gjitha subjektet politike në vend, të ulen në tryezë të njëjtë, të merremi vesh në mënyrë konsensuale”, tha Oliver Spasovski, Koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Prolongimin e votimit për raportin e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Spasovski e cilëson si një mossukses diplomatik. Ai dënon deklaratat e euro deputetëve bullgarë që siç tha, duan ta kontestojnë apo poshtërojnë Maqedoninë dhe popullin e saj.
“I dënoj të gjitha deklaratat, të gjitha fjalët që thuhen nga ana e euro deputetëve bullgarë, të cilët duan që në njëfarë mënyrë të na kontestojnë, ose të na poshtërojnë si popull, si shtet. Megjithatë ky duhet të jetë motiv më tepër që të dëshmojmë se ne jemi ata që e krijojmë rrugën tonë evropiane”, shtoi Oliver Spasovski, Koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Spasovski u shpreh i prerë, identiteti, gjuha e kultura e vendit janë të pranuara në BE dhe janë pjesë e saj, gjë që sipas tij, askush nuk mund dhe nuk ka të drejtë ta kontestojë./Alsat.mk