Gazetar: Adnan Qaili
Në kohë krize ekonomike dhe energjetike, ku mijëra qytetarë mbeten të papunë ose nuk dinë si të mbijetojnë, partitë opozitare thonë se qeveria vendosi të hedhë para në një festë partie. Sipas Aleancës për Shqiptarët, pushteti edhe në kohë krize vazhdon t’i grabit qytetarët përmes rritjes së akcizës, taksave dhe tenderëve kriminalë. Tani përmes një feste përpiqet tu hedh hi syve të qytetarëve.
“”Fik se fik, bile me muzikë”, kjo është platforma më e re e BDI-së që po e hasim dy vitet e fundit. Me logjikën e Marksit e Leninit, ata pasi e varfëruan, burgosën, shkatërruan, e degraduan popullin, tani duan ta manipulojnë me muzikë, koncerte e ahengje. Ata festojnë dështimet e tyre në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa këtë e bëjnë me paratë e vjedhura nga qytetarët”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërkaq opozitarja VMRO-DPMNE thotë se pushteti gënjen qytetarët se nuk ka para për projekte dhe investime kapitale, por thonë se ka para për një festë private të Kovaçevskit dhe Grubit. Sipas tyre, në kohë krize BDI dhe LSDM do të shpenzojnë 70 mijë euro për festë partiake të Marrëveshjes së Ohrit.
“Pushteti i LSDM-së dhe BDI-së është i humbur në hapësirë dhe i shkëputur nga realiteti. Për festën njëditore me rastin e Marrëveshjes së Ohrit, do të shpenzojë mbi 70 mijë euro vetëm për festë dhe këngëtarë, në kohën kur vendi është në krizë dhe kur qytetarët e Tetovës nuk kanë kushte elementare për jetesë. Ministrat e qeverisë së paaftë do të shpenzojnë mijëra euro nga paratë e qytetarëve për argëtim”, thanë nga VMRO DPMNE.
Të dy partitë opozitare si ASH ashtu edhe VMRO thanë se: “operacioni shpërdorues i kriminelëve të LSDM-së dhe BDI-së së shpejti do të marrë fund. Këtë veprim të papërgjegjshëm të LSDM-së dhe BDI-së sipas tyre, qytetarët do ta ndëshkojnë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare”./Alsat.mk