Opozita akuzon kreun e Kuvendit Talat Xhaferi për zvarritje të qëllimshme të interpelancës për kryeprokurorin Lubomir Joveski. Sipas tyre, interpelanca tashmë duhet të ishte vendosur në rend dite. Kreu i Kuvendit nga ana tjetër, ka sqaruar në një komunikim për mediat se afatet nuk janë shkelur por se Kuvendi ka pritur për përgjigjen e Joveskit. Sipas kabinetit të Xhaferit, nisma për interpelancë ndaj Joveskit, sipas rregullores, do të vendoset në rend dite në seancën e parë të radhës.
“Kjo na bën të dyshojmë se ka diçka mes tij dhe Lubomir Joveskit e që mund të ketë lidhje me ndonjë aferë korruptive që kryetari i Kuvendit e mbron kryeprokurorin edhe duke e shkelur Rregulloren e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Se me çfarë e mban të kapur kryeprokurori kryetarin e Kuvendit ose dikë nga partia e tij, këtë duhet ta shpjegojnë ata por që Talat Xhaferi e mbron Lubomir Joveskin që në opinion shihet si fajtori kryesor për devijimin e procesit gjyqësor të spitalit modular në Tetovë, për këtë nuk ka më asnjë dyshim”, deklaroi Safije Shahini Sadiki, Alternativa. /Alsat.mk