-
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë të ditur se do të jetë i pranishëm në veri të Kosovës, por jo për t’i monitoruar zgjedhjet, por për të ofruar mbështetje.
“Me kërkesë të KQZ-së, misioni do të ofrojë mbështetje dhe asistencë teknike për komisionet komunale zgjedhore dhe për këshillat e vendvotimeve në katër komunat veriore të Kosovës. Të dielën më 11 qershor ne do të jemi prezentë në të gjitha 87 vendvotimet në këto 4 komuna, jo si monitorues, por për të ofruar mbështetje teknike”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së për “Zërin”.
Nga ana tjetër analisti politik Arben Rugova, ka vlerësuar se procesi zgjedhor do të kalojë pa incidente të mëdha, sado që mund të ketë ndonjë mosmarrëveshje. “Pres të dielën procesi i votimit në Kosovë të kalojë pa incidente të mëdha. Mund të ketë aty-këtu mosmarrëveshje midis komisionarëve të partive politike, ashtu si në të kaluarën që shpesh shkaktoheshin për çështje banale, por jo incidente që do të mundë të ndikojnë në procesin e përgjithshëm dhe assesi në rezultat”, ka deklaruar ai. Ai më tej ka thënë se partitë nuk kanë interes ta rrezikojnë procesin zgjedhor, kur dihet se tashmë çdo gjë mund raportohet drejtpërdrejt. Por, ai është shprehur skeptik për mbarëvajtjen e procesit në pjesën veriore të Kosovës.