Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Austria, Alexander Van der Bellen ka folur për dialogun Kosovë-Serbi. Ajo ka thënë se Serbia ka bërë një luftë të tmerrshme në Kosovë dhe nuk është ndarë drejtësi.
Ajo ka shtuar se për këto krime nuk ka kërkimfalje, drejtësi e as pendesë nga ana e Serbisë.
“Unë i bëj thirrje (presidentit serb Aleksandar) Vuçiqit që të paktën të vendosë një lule në Batajnicë. Historia ka dëshmuar se çdo herë kur ka pasur luftë, parakusht për paqe të qëndrueshme ka qenë vendosja e drejtësië. Prandaj ne kërkojmë drejtësi, kërkojmë që të kthehen eshtrat e të pagjeturve. Do të insistojmë në drejtësi për gjatë procesit. Për ne, zgjidhja është njohja reciproke, sepse është e domosdoshme. Asnjë zgjidhje tjetër nuk do të sillte paqe. BE-ja duhet të jetë e qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luaj me dy karta edhe me Rusinë edhe me BE-në. Duhet të zgjedhë se cila është rruga e saj e vërtetë. Në momentin që BE-ja është e qartë me Serbinë edhe sa i përket eliminimin e influencës ruse dhe njohjen e Kosovës, atëherë do të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.
Sipas saj, tavolina e dialogut është për t’i zgjidhur çështjet si ajo e të zhdukurve, për eliminimin e barrierave tregtare por sipas saj, zgjidhja përfundimtare është njohja reciproke.
Osmani ka thënë që dialogu kurrë nuk ka qenë për statusin e Kosovës.
Ajo ka thënë se ata që përfitojnë nga ky proces duhet të jenë qytetarët.
“Nganjëherë ato që quhen marrëveshje historike para qytetarëve nuk zbatohen e shumë herë nuk janë as edhe në interes të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka thënë se ka shumë fusha për të cilat të dyja vendet mund të bashkëpunojnë.
Një nga ta aj ka thënë se është edhe shëndetësia, për të cilën thotë se e kanë trashëguar në prag të kolapsit.