Osmani: Deklaratat e zëvendëskancelarit austriak, të rrezikshme për destabilizimin e rajonit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, ku u raportua të ketë thënë që veriut të Kosovës duhet t’i jepet e drejta për vetëvendosje.
Osmani ka thënë se deklaratat e tilla janë të rrezikshme në aspektin e sigurisë si dhe që hapin rrugë për destabilizim të Ballkanit dhe Evropës

“Kushdo që propozon ide për t’i dhënë të drejtën në vetëvendosje veriut të Kosovës flet në kundërshtim me parimet dhe rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me të drejtën në vetëvendosje”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

“Por, përtej aspektit juridik, deklaratat e tilla janë më së tepërmi të rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe hapin rrugë jo vetëm për destabilizim të rajonit tonë por edhe të pjesëve të tjera të Evropës. Është e qartë se deklarata e sotme e Zëvendës-Kancelarit austriak Heinz Christian Strache është edhe në kundërshtim me politikat e Bashkimit Evropian në raport me Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e palëkundur të shumicës së shteteve të botës demokratike për pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës”, është shprehur Osmani.

“Por, kjo nuk do te ishte hera e parë që partia e Heinz-Christian Strache bie ndesh me politikat dhe parimet e BE-së. Mjafton të përmendet që për shumë vite me rradhë lider i asaj partie ishte ultranacionalisti Jorg Haider. Përndryshe, Austria gjithnjë ka pasur qëndrim konsistent në raport me pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial te saj. Prandaj, jam e bindur që zëri i zv.Kancelarit Strache do të mbetet zë i vetmuar”, ka thënë deputetja e LDK’së.

Gjatë ditës, ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl është distancuar nga deklarata e zëvendës-kancelarit të Austrisë, Heinz-Christian Strache, i cili deklaroi sot se Kosova është pjesë e Serbisë.

Ministria e Jashtme e Austrisë i ka quajtur të pamatura këto deklarime të Strach.

“Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Austria është një fakt i pakundërshtueshëm”, tha zëdhënësja e ministres Karin Kneissl. “Dhe kjo njohje nuk mund të ndryshohet”.

Idenë e zëvendëskancelarit austriak për negociata për ndarjen e Kosovës e kanë përkrahur edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryediplomati grek Nikos Kotzias. Në këtë pazar është përfshirë edhe lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, në Presidencë kanë thënë se në këtë fazë ideja e shkëmbimit të territoreve është spekulim.

Në anën tjetër, në Qeveri kanë thënë se as në këtë fazë dhe as në faza tjera s’do të ketë skenar për ndarjen dhe shkëmbimin e territorit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ka konsideruar si te pamatur deklaratën e Zëvendëskancelarit austriak Heinz-Christian Strache, se duhet t’i jepet autonomi Veriut të Kosovës. Pacolli ka thënë se idetë e tilla sjellin gjakderdhje.

“Deklaratat si kjo e zëvendëskancelarit të Asutrisë janë të pamatura dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e asnjë situate të acaruar në Kosovë”, ka thënë për Express Zëvendëskryeministri dhe njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli.

“Ne falënderojmë Austrinë për kontributin e madh që ka dhënë në Kosovë dhe rajon, por e kundërshtojmë fuqishëm deklaratën e zëvendëskancelarit, duke konsideruar se ajo deklaratë është dhënë pa e njohur mirë situatën reale në Kosovë”, ka shtuar ai.Kryediplomati kosovar ka kundërshtuar edhe idetë tjera për shkëmbim territoresh e ndarje të Kosovës. Ai ka thënë se ide të tilla sjellin luftëra.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide. /Express/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme