Osmani: Kolë Berisha ishte ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

Kolë Berisha vdiq sot në moshën 73-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e presidentes Osmani. “Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”


LDK-ja dërgon telegram ngushëllimi pas vdekjes së Kolë Berishës

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimit familjes së ish-anëtarit të saj dhe ish-kryeparlamentarit, Kolë Berisha, i cili vdiq sot në moshën 73-vjeçare.

Në letrën e dërguar nga kryetari Lumir Abdixhiku thuhet se mëngjesi i sotëm ishte i dhimbshëm për të gjithë Kosovë.

“E nderuara familje Berisha, mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën.  Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci. Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë. Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi.  Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të LDK-së.


Haradinaj: Kolë Berisha dha kontribut të çmuar për arsimin ndër vite

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu ka ngushëlluar për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

“I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Kolë Berisha. Ai dha kontribut të çmuar për arsimin ndër vite. Në kohën kur organizimi jonë për çlirim merrte formë, ai angazhohet në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive dhe në themelimin e institucioneve paralele në Kosovën e okupuar. Pas luftës, ai vazhdoi kontributin e tij në shtetndërtim, ku mes tjerash kryesoi Kuvendin e Kosovës. Ngushëlloj me këtë rast familjen Berisha, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme