Osmani në Austri: BE ta mbajë premtimin, Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizav

Në Austri ka qëndruar për vizitë zyrtare, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në takimet e zhvilluara atje, Osmani ka theksuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave për çka ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i përmbahet premtimit për kosovarët.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e vizitës zyrtare në Austri, ka takuar anëtarët e shoqatës së miqësisë Kosovë – Austri, ka mbajtur ligjëratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë dhe ka takuar një grup të grave të suksesshme Austriake, me ftesën e Zonjës së Parë të Austrisë, Doris Schmidauer. Përgjatë takimit me shoqatën e miqësisë Kosovë – Austri, të udhëhequr nga eurodeputeti Lukas Mandl, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë. Ka theksuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar nga BE-ja që t`i përmbahet premtimit për kosovarët. Më tej, Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë t`i qëndrojë në krah Kosovës edhe në procesin e integrimit evropian, sikurse edhe në atë të të integrimit euro-atlantik”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e presidentes.

“Republika e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve, të cilët janë të shkolluar dhe të aftë për t`i dëshmuar vlerat e tyre sapo t`u jepet mundësia. Duhet të sigurojmë mobilitet dhe të ndërtojmë partneritet të fuqishëm”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani në takim me Grupin e Miqësisë Kosovë-Austri.

Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare në shtetin austriak.

“Diaspora jonë këtu ka rol qenësor për Republikën e Kosovës, shkaku i potencialit, dijes dhe ideve të reja që sjellin”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka takuar edhe një grup të grave të suksesshme në Austri, nën organizimin dhe me ftesë të Zonjës së Parë të Austrisë, Doris Schmidauer, ku morën pjesë edhe ministrja e Drejtësisë në qeverinë austriake, Alma Zadic, ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek, si dhe gra nga fusha e biznesit, akademia, politika e shoqëria civile. Në këtë takim u diskutuan sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen gratë në sektorin publik dhe privat, si dhe në shoqëri në përgjithësi. Presidentja diskutoi rolin e grave në sjelljen e një ndryshimi të rëndësishëm politik dhe shprehu nevojën për investime në arsim dhe kujdes shëndetësor për të mundësuar dhe fuqizuar gratë që të jenë të barabarta në tregun e punës, si dhe nevojën për të krijuar më shumë vende pune për të rinjtë dhe gratë.

Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës në Austri, presidentja Osmani ka mbajtur ligjeratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë, me temën “Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit”. Përmes kësaj ligjërate interaktive, presidentja Osmani ka shpalosur rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, si dhe ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen institucionet e Republikës së Kosovës, sukseset që janë arritur dhe synimet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme