Gazetar: Suad Bajrami
Pastrimi i politikës dhe gjyqësorit nga figura të korruptuara dhe parandalimi i tyre për ushtrimin e detyrës shtetërore, vazhdon të jetë një ndër temat kryesore të fushatës zgjedhore presidenciale edhe pse ekspertët insistojnë se funksioni për të cilin garojnë, nuk ka kompetenca për të kryer veting. Megjithatë, kandidati për president nga radhët e “Frontit Europian”, Bujar Osmani, në kuadër të fushatës zgjedhore presidenciale, nga Dibra premtoi se vetingu për politikanët, prokurorët dhe gjykatësit do të jetë kusht për formimin e qeverisë së ardhshme.
“Nuk do të ketë qeveri pa marrëveshje për veting të plotë të gjithë bartësve të funksioneve publike. Secili që do të ketë pretendim të bëhet ministër, të bëhet drejtor, të bëhet gjykatës ose prokuror, do të duhet fillimisht të marrë certifikatën që do ta japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO edhe atë në dy drejtime. A kanë lidhje me interesin rus dhe a janë të involvuar në korrupsion”, tha Bujar Osmani, kandidat për president nga “Fronti Europian”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kandidati për president nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari. Sipas tij BDI-ja ka formuar 6-7 herë qeveri të ndryshme, por vetingun kurrë nuk e ka realizuar.
“Unë nuk e di Bujar Osmani e ka me gjithë mend apo tallet, a e nënçmon inteligjencën e qytetarëve. Zotëri Bujar Osmani është 22 vjet në pushtet, kur them zotëri Bujar Osmani, nënkuptoj BDI-në. Ato kanë formuar 6-7 herë qeveri të ndryshme. Unë e pyes publikisht pse nuk e kanë bërë deri tash, kanë mundur që ta bëjnë për 20 vjet, ose për 7-8 vitet e fundit ta bëjnë vetingun. Unë e kam ftuar disa herë zotëri Bujar Osmanin, hajde të nënshkruajmë veting edhe për politikanët, edhe për gjykatësit edhe për prokurorët”, tha Arben Taravari, kandidat për president nga “VLEN”.
Për idenë e formimit të një bordi ndërkombëtar i cili do të japë certifikata për politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët në lidhje me lidhjet eventuale me Rusinë apo përfshirjen e tyre në korrupsion, me ironi ka komentuar dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, e cila ka thënë se shteti nuk është një koloni moderne apo protektorat për të zbatuar diçka të tillë. Vetingun paraprakisht e ka premtuar edhe kandidati për president nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili kërkoi të hetohet prejardhja e pronës së funksionarëve. Idenë e vetingut, tashmë me vite e premtojnë pothuajse të gjitha partitë për ta rikthyer besimin e rrënuar të qytetarëve në institucionet shtetërore, para se gjithash në gjyqësor. Megjithatë, pavarësisht disa iniciativave të dështuara, ky proces nuk u realizua pasi që Bashkimi Evropian, duke u bazuar në përvojën e Shqipërisë, rekomandoi që Maqedonia e Veriut t’i përdor mekanizmat ekzistues. /Alsat.mk