Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti propagandë pretendimin e Serbisë se nënshkrimi i marrëveshjes për mbrojtje midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, është veprim kërcënues për ata.
“Serbia po e bënë të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen”, thotë Osmani derisa flet për pretendimin e Serbisë se është shkelur një marrëveshje e vitit 1996.
Presidentja e vendit tha se Serbia është i vetmi burim destabiliteti në rajon.
“Marrëveshja trilaterale midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërisht këtë që t’i ndihmojmë njëra tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes. Pra, për ta mbrojtur vetën dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë dhe në të një kohë bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar që janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe parimit të fqinjësisë së mirë, në të drejtën ndërkombëtare, por po ashtu në praktikën e NATO-s. Ka shumë shtete që janë anëtare të NATO-s, por nënshkruajnë marrëveshje bilaterale ose traktate me shtetet e tjera…Është një praktikë që ndodhë tërë kohën brenda shteteve të NATO-s që besojë në vlerat e njëjta. Serbia si shtet që nuk beson në ato vlera, por që i sulmon vazhdimisht, del me propagandë se kinse qenka shkelur një marrëveshje e vitit 1996. Por, kushdo që e lexon atë marrëveshje, e vëren një gjë, që Serbia po e bënë të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe s’ka asnjë rrezik për ta. Ekziston veç një burim destabiliteti në rajon, e ajo është Serbia”, tha Osmani.
E para e vendit foli rreth kësaj teme pas një ngjarje të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me iniciativën WE për Gratë Sipërmarrëse në Kosovë.
Ndër të tjera, Osmani tha se historikisht shtetet agresore siç është Serbia dhe Rusia, vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima.
“Është interesante që historikisht shtetet agresore siç janë Serbia dhe Rusia vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima. Nëse i shini deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori sulmesh, pushtimesh, histori gjenocidi, luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtete agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse dikush po i sulmon ata. Në historinë e ekzistimit tonë, ne nuk e kemi sulmuar kurrë askënd…Në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova në veçanti gjithmonë e kanë mbrojtur vetën”, tha Osmani.
Të martën e 18 marsit, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, u nënshkrua deklarata e përbashkët trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.
Kjo marrëveshje synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.