Kryetari i Unitetit, Gëzim Ostreni, pretendon se për momentin ai është kryetar i Aleancës për Shqiptarët, koalicion i përbërë nga LR-PDSH, RDK dhe Uniteti, e jo kryetari i LR PDSH-së, Zijadin Sela. Kjo konstatohet nga pohimi i Ostrenit në intervistën për Tv Globi, se marrëveshje për formimin e Aleancës parasheh që ky koalicion kryesohet me rotacion katërmujor, nga kryetari i secilit subjekt që përbën atë, sipas radhitjes LR-PDSH, RDK, Uniteti. Nëse merret parasysh se nga themelimi i Aleancës kanë kaluar tetë muaj, atëherë mund të thuhet se Ostreni pretendon që tani është radha e tij të udhëheqë APSH-në edhe pse ankohet se ka pretendime që të mos respektohet marrëveshja në fjalë.