“Pa heqje të taksës, nuk ka vazhdim të dialogut”

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës prej 10% në 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake, ka rezultuar me ndërprerjen e procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, një ditë pasi Kosova dështoi anëtarësimin e saj në INTERPOL dhe që qeveria mori këtë vendim, edhe procesi i dialogut Kosovë- Serbi ka mbetur i stagnuar.

Kështu të paktën shprehet analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati. Ai në një prononcim për Gazetën Blic tha se përveç taksës, në Serbi nuk ka as vullnet politik për vazhdimin e dialogut.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar, dhe arsyet për këtë janë të ndryshme. Ndonëse arsyeja kryesore duket të jetë vendosja e taksës ndaj produkteve serbe, megjithatë nuk ka vullnet të qartë politik nga ana e Serbisë për të vazhduar dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje me Republikën e Kosovës”, tha Murati.

Ai shprehet se përderisa taksa 100% ndaj këtyre produkteve të jetë e tillë, nuk do të ketë as raunde të reja të dialogut. Shton se për këtë, Serbia ka në anën e saj edhe Bashkimin Evropian.

“Përderisa taksa do të jetë në fuqi sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë raunde të reja të dialogut, sepse Serbia ka kushtëzuar dialogun me taksën, e madje edhe BE është në linjë të njëjtë me Serbinë në këtë drejtim, duke kërkuar në vazhdimësi heqjen e taksës. Andaj, pa pasur lëvizje në këtë drejtim vështirë se do të ketë zhvillime në procesin e dialogut”, tha ai.

Ndryshe, shtetet perëndimore, partnere të Kosovës, përveç atyre të BE-së edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë vendimin për taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut.

Deri më tash, kryeministri Haradinaj nuk e ka pezulluar vendimin për këtë taksë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme