Pa ilaç për shëndetësi

Pa zhurmë kaloi vdekja e katër viktimave të “gazit vrasës” të shëndetësisë. Mbrojtja e parë e QKUK-së ishte se “pacientët ishin të moshuar”. Nuk u mbajt asnjë protestë për të kërkuar drejtësi për katër pacientë që kishin kërkuar shërbim, por në vend të tij ishin toksikuar nga gazi oksidul. U burgos vetëm pronari i një kompanie.

Dështimi zinxhir i të gjitha hallkave pos që solli vdekjen në spitale, dështoi edhe në aspekte të tjera. Ministri Uran Ismaili pak minuta pasi pranoi postin tha që do t’ia gjente ilaçin shëndetësisë. Por sëmundja e shëndetësisë ka metastazuar edhe më shumë gjatë vitit 2017.

Si kurrë më parë spitalet publike mbetën pa barna e, në anën tjetër, farmaceutika është kriminalizuar mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë. Kosova dështoi të nis zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, por në vend të saj rehatoi persona politikë pa asnjë përvojë punë që të udhëheqin Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili pritet të jetë një ndër tri institucionet më të rëndësishme financiare. U rritën listat e pritjes e aparaturat qëndruan jashtë funksionit. Është dorëhequr “daja” i Grabovcit, por të tjera pozita të rëndësishme iu dhanë përsëri zyrtarëve të PDK-së.

Ismaili nuk është treguar mjaftueshëm i fuqishëm sa për të sfiduar punësimin e dhëndrit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, në institucionin më të rëndësishëm financiar në shëndetësi. Si Haradinaj ashtu edhe Ismaili thanë se u njoftuan nga “Koha Ditore” se një 27-vjeçar do të menaxhojë milionat e këtij fondi.

Përderisa personat e afërt me politikën u “rehatuan” në pozita të rëndësishme, sigurimet shëndetësore janë në pikën zero dhe pak gjasa ka që të nisin edhe në vitin 2018. Aparaturat vazhduan të qëndrojnë të prishura e shteti vazhdoi të paguajë këto shërbime në spitalet private. U diskriminuan qytetarët që prisnin në listën e pritjes për trajtim jashtë vendi. Në vend të tyre u ndanë mjete për politikanët e sëmurë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme