Pa nisur zyrtarisht, partitë kanë nisur fushatën

Partitë e mëdha politike në Kosovë kanë nisur fushatën parazgjedhore ende pa e ditur se si do të veprohet pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Aktualisht, në kuadër të institucioneve të Kosovës nuk ka ndonjë nismë zyrtare se si do të veprohet.

Janë dy opsione që qarkullojnë: zgjedhjet e parakohshme apo formimi i një qeverie të re deri në përfundimin e mandatit kushtetues të institucioneve aktuale.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, që monitoron partitë politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një formë në Kosovë ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme që mund të mbahen në Kosovë.

“Ne vetëm kemi parë gjatë kësaj jave që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka filluar me krijimin e shtabit zgjedhor dhe kjo i bie si parapërgatitje për zgjedhje dhe takimet që janë duke u zhvilluar në terren nga ana e liderëve të partive politike dhe kjo mund të kuptohet si pjesë e fushatës parazgjedhore, akoma pa u shpallur dita e zgjedhjeve”, thotë Demhasaj.

Partitë politike parlamentare, kryesisht ato më të mëdha, i kanë shpeshtuar takimet me elektoratin e tyre ditëve të fundit. Liderët e partive politike zakonisht marrin pjesë në takime të tilla.

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokraci për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike tashmë janë parë duke bërë fushatë parazgjedhore nëpër komuna të ndryshme.

“Fushatën parazgjedhore vetëm se e kanë filluar disa nga partitë politike. Është parë se subjektet e partive politike kanë grumbulluar struktura e tyre nëpër komuna, kanë qenë edhe liderët, të cilët kanë vizituar degë të partive të tyre dhe kanë angazhuar strukturat e tyre që të fillojnë fushatën jozyrtare zgjedhore, pa marrë parasysh se ende nuk është vendosur se a do të kemi zgjedhje. Po ne, si shoqëri civile, presim që partitë të mos i përdorin burimet publike në fushatën parazgjedhore”, thotë Emini.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme