Gazetar: Avni Tahiri
Të burgosurit të cilëve, gjatë vuajtjes së dënimit, nuk u është shqiptuar asnjë masë disiplinore, pavarësisht nga vepra penale për të cilën po e vuajnë dënimin, mund të angazhohen në punë me interes publik, si: lyerja e mureve, grumbullimi i mbeturinave, pastrimi i mbeturinave të ndërtimit dhe mirëmbajtja e pastërtisë së rrugëve magjistrale dhe rajonale.
Kusht për angazhimin e tyre në këto punë është që të jenë të sistemuar në kategorinë A ose B, përkatësisht të vuajnë dënimin në institucion të tipit të hapur ose gjysmë të hapur. Kjo nënkupton se ata e vuajnë dënimin në një regjim më të lehtësuar, i cili, në përputhje me ligjin dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente, u mundëson të angazhohen në punë jashtë institucionit korrektues.
Aksioni i angazhimit të të burgosurve veç më filloi me largimin e mbeturinave përskaj autostradave ndërsa sipas Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, i njëjti do të zgjasë deri më 22 korrik të këtij viti.
“Ky aksion po zhvillohet në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Maqedonisë”, në përputhje me Memorandumin e nënshkruar të bashkëpunimit për angazhimin në punë të personave të dënuar, të cilët do të ndihmojnë në mirëmbajtjen e higjienës në rrugët magjistrale dhe rajonale në të gjithë territorin e vendit. Në këtë aksion pune u përfshinë disa institucione korrektuese, përkatësisht: Burgu i Idrizovës, Burgu i Shtipit, Burgu i Prilepit, Burgu i Kumanovës, Burgu i Manastirit, Burgu i Shkupit, Burgu i Gjevgjelisë, Burgu i Strumicës dhe Burgu i Strugës.”thanë nga; Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Sipas informatave, të burgosurit që do të angazhohen në aktivitetet në vendet e hapura, nuk do të marrin kompensim me para, por puna e njëjtë kryhet në mënyrë vullnetare. Deri tani janë paraqitur disa institucione për bashkëpunim me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve përfshirë edhe klinika për pastrimin e oborreve nga mbeturinat.
Qëllimi i angazhimit të personave të dënuar në punë sipas drejtorisë, është rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri, përmes zhvillimit të shprehive të punës, përgjegjësisë dhe kontributit në aktivitete me interes publik./Alsat.mk
The post Pa pranga, por nën mbikëqyrje: Të burgosurit dalin për të pastruar autostradat e vendit appeared first on Alsat.



