Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ka vendosur që t’i kthejë në Prishtinë rreth 25 diplomatë, përfshirë ambasadorë, atashe dhe anëtarë të tjerë të shërbimit të jashtëm, me grada më të ulëta, shkruan Koha Ditore.
Arsyetimi zyrtar lidhet me performancën, por burime të gazetës kanë thënë se motivet politike qëndrojnë pas këtyre rokadave.
Deri tash nëntë diplomatë janë kthyer, përfshirë ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu. Ndërkaq, deri në mars është planifikuar të ndodhin edhe kthimet e tjera. E të rinj do t’i zëvendësojnë ata.
Burime të gazetës në Qeveri kanë folur të mërkurën për këtë zhvillim.
“Zëvendëskryeministri Pacolli i ka marrë këto vendime mbështetur në një reformë të cilën do që ta realizojë. Ai do që të gjithë ata që i përmbyllin nga dy mandate t’i kthejë në Kosovë pasi konsideron se në vendet ku ndodhen me mision kanë krijuar komoditet dhe e kanë humbur fokusin për punën për të cilën janë ngarkuar”, ka thënë ky burim. “Kësisoj do të veprohet edhe në raport me shefat e misioneve, por edhe me gradat nën atë të ambasadorit, pasi zëvendëskryeministri konsideron se ata më s’kanë çfarë të japin”.