Pacolli i siguroi financa gruas së tij nga tri ministri për bienalen në Venedik

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i ka siguruar bashkëshortes së tij, Maria, mbështetje nga tri ministri për të organizuar pjesëmarrjen e një ekipi nga Kosova në Bienalen e Venedikut.

Mbështetja ka nisur me dhënien e 10 mijë eurove nga Ministria e Kulturës në emër të Fondacionit “Ibrahim Kodra” të cilën e udhëheq Maria, e pastaj ka vazhduar me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të përfunduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të cilën e udhëheq vetë Pacolli.

Mbështetjen tripalëshe e ka konfirmuar MPJ-ja me anë të një njoftimi për media, por kjo Ministri nuk ka dhënë shpjegime kur është pyetur në mënyrë specifike rreth mbështetjes së ofruar.

MPJ-ja ka heshtur kur është pyetur nëse është marrë parasysh çështja e konfliktit të interesit kur është marrë vendimi për mbështetje të një fondacioni që udhëhiqet nga gruaja e ministrit, sikundër që nuk është përgjigjur nëse është konsultuar paraprakisht për këtë çështje me Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsionit.

Ajo që dihet është se Pacolli ka shkuar edhe vetë në Venedik kur është hapur ekspozita në Qendrën Kulturore Evropiane, për t’i qëndruar afër bashkëshortes.

Por, ai nuk ishte i vetmi qeveritar që kishte shkuar atje.

Në të njëjtin vend kanë qëndruar edhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.

Në këtë ngjarje është parë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me bashkëshorten e tij.

Në MMPH kanë mohuar se i kanë dhënë mbështetje Fondacionit të gruas së Pacollit, duke thënë se ministria i ka mbështetur vetëm disa studentë.

“Fondacioni “Ibrahim Kodra” nuk ka marrë asnjë mbështetje financiare nga MMPH-ja  për ekspozitën në Qendrën Kulturore Evropiane në Venedik. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbështetur artistët, arkitektet, studentët për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, duke mbuluar shpenzimet e udhëtimit për disa prej tyre”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së për AktivPress.

Por në fakt, studentët kanë qenë pjesë e organizimit të Maria Pacollit.

Pavarësisht mbështetjes që Maria ka siguruar nga ministria që udhëhiqet nga burri i saj, përfshirë edhe nga dy ministri që i përgjigjen po ashtu burrit të saj, Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit nuk ka dhënë sinjale se po e heton këtë rast për “konflikt interesi”.

AktivPress për disa ditë rresht ka pritur për të marrë një përgjigje nga AKK-ja, por pritjet kanë rezultuar të kota.

Çështja e konfliktit të interesit është sanksionuar me ligj të veçantë.  Në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit ndër tjera specifikohet se gjatë ushtrimit të funksionit publik, zyrtarit të lartë i ndalohet që të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal apo personit në lidhje me të. Sanksionet më të mëdha që parashihen me këtë ligj janë gjobat deri në 2500 euro dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej tre muaj deri në një vit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme