Hyrjen e Kosovës në NATO nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit.
Ky ka qenë njëri prej mesazheve kryesore të adresimit të Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), që po i zhvillon punimet në Maqedoni, nën kryesimin e kësaj të fundit.
“Ju e dini rëndësinë absolute dhe relative të këtij forumi si paradhomë e NATO-s, për të gjithë ne individualisht dhe për Kosovën posaçërisht. Hyrjen e Kosovës në NATO as nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit. E di se Bosnja është njëri nga shtetet, që po e pengon këtë anëtarësim. Para jush, dua ta pyes homologun e Bosnjës: Pse ju nuk doni, që Kosova të përfshihet në këtë paradhomë të NATO-s? A ju krijon ky fakt probleme të brendshme, probleme ndër-etnike? Nuk e besoj. A keni ndonjë pakënaqësi me trajtimin e minoritetit boshnjak në Kosovë? Ju e dini, se yjet e etnive në flamurin e Kosovës janë të barabartë. Ju e dini sa mirë shkojnë shqiptarët me boshnjakët kudo, në Kosovë dhe jashtë saj. Kjo, që ju po bëni në fakt është pasojë e asaj se nuk doni të keni marrëdhënie me ne, se nuk doni lëvizje të lirë reciproke të shtetasve tanë në territoret respektive. Pse ky nivel i ulët marrëdhëniesh? Pse e kërkon Serbia këtë? Më duket se jeni gabim. Dhe, ju nuk duhet të rrini pas Serbisë. Serbia me Kosovën ka marrëdhënie të një niveli të caktuar; bisedon në Bruksel, ka lëvizje të lirë të qytetarëve”, ka thënë Ministri Pacolli.
“Nëse ju nuk e njihni Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, çfarë shteti mendoni se gjendet në territorin tonë? Serbia? As Serbia nuk e pretendon këtë. Jo të nderuar zotërinj, në territorin e Kosovës, falë aksionit të NATO-s për të ndalur gjenocidin, falë shumë rezolutave ndërkombëtare, administrimit ndërkombëtar, vullnetit të popullit shprehur me votën e parlamentit në 17 shkurt 2008, falë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së 2011, ka një shtet sovran të pavarur. Edhe Serbia e di këtë dhe e pranon këtë realitet. Nuk është në shpatullat e askujt prej nesh, të kthejë rrotën e historisë mbrapa. Procesi i integrimit tonë ndërkombëtar është i pakthyeshëm. U provua me Surinamin dhe GuineaBisaun, por njohja e Kosovës prej Madagaskarit besoj i qetësoi të gjithë”, ka vazhduar prezantimin e tij Pacolli.
“Çdo të bëni ju, kur Serbia të heqë veton për anëtarësimin tonë në OKB? A nuk ju duket jo normale, që ju të ndiqni këtë hap të Serbisë, dhe pastaj të veproni kundrejt nesh, ndonëse jemi afër? Ju ftoj të jeni largpamës. Ne jemi tregje të vogla dhe prodhues të vegjël, që kemi nevojë për njeri tjetrin. Ne kemi histori të hershme, aktuale bashkëjetese me njeri tjetrin. Mos u vononi. Po u vonuat, nesër s’do të ketë vend për ju në tregjet tona”, ka thënë kreu i diplomacisë kosovare.
Në fund, ai i ka bërë një ftesë të gjithë vendeve anëtare të NATO-s, që ishin të pranishëm në këtë takim.
“Do ju lutesha: kuptojeni rëndësinë simbolike që ka lajmi i anëtarësimit në Kartën e Adriatikut për opinionin tonë publik. Të punojmë së bashku ta inkurajojmë opinionin publik të Kosovës, me lajmet që Kosova është pjesë e bashkësisë perëndimore të shteteve dhe këtë nuk e lëvizë dot askush”, është shprehur ai.
Aktualisht, Republika e Kosovës ka statusin e vendit vëzhgues të Kartës së Adriatikut dhe pjesëmarrja e saj është mbështetur në këtë status. Në fund të vitit të shkuar (2016) në Deklaratën Ministrore të miratuar në Zagreb është hapur mundësia e anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota.