Pacolli: S’ka kompromis – Kosova në Sofje merr pjesë e barabartë me shtetet tjera

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve se në samitin e BE-së, që do të mbahet kah mesi i majit në Sofje, Kosova mund të paraqitet pa simbole shtetërore për të bindur Spanjën që të marrë pjesë.

Pacolli, në një postim në Facebook, ka thënë se çdo tentim për të minuar prezencën e Kosovës në samit apo përjashtuar simbolet tona shtetërore, paraqet mungesë të vizionit dhe qartësisë për rajonin.

“Në kohen kur ndikimi rus është shtuar në rajon, është bërë më se i nevojshëm unifikimi i BE-së karshi rajonit tonë. Çdo tendencë tjetër për të mos pasur unifikim të politikes evropiane karshi Kosovës, e dobëson BE-në në rajon dhe minon perspektivën e evropianizimit të Ballkanit Perëndimor. Kosova do të marrë pjese sikurse të gjitha shtetet tjera në samitin e Sofjes dhe nuk bëjmë kompromise këtu”, ka thënë Pacolli, duke reaguar pas një shkrimi të botuar në Koha.net, i thirrur në burime të mediumit anglez “Express”.

Tutje, zëvendëskryeministri Pacolli thotë t’u ketë thënë homologëve të tij evropianë disa herë se “mos-njohja nga 5 vendet e BE-së, jo vetëm që po e ngadalëson ecjen e Kosovës drejt integrimit evropian, por po e ndanë BE-në në rajon dhe po e bën akter të dobët karshi akterëve të tretë që po tentojnë të depërtojnë tek ne”.

Pacolli tha se Kosova, sikurse të gjitha vendet e tjera të rajonit, do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, në muajin maj, ku tha se pritet të mbështetet nga të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së perspektiva e qartë dhe konkrete e zgjerimit, për të gjitha vendet e rajonit, duke përfshire Kosovën.

Kujtojmë se Spanja, gjegjësisht kryeministri Mariano Rajoy, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në samitin e BE-së në Sofje nëse në të merr pjesë Kosova me simbole shtetërore. Qeveria spanjolle madje ka paralajmëruar mos-pjesëmarrje në asnjë prej takimeve ku prezente është Kosova me simbole shtetërore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme