Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj publikimeve të mediave serbe lidhur me raportimet se po përgatitet një propozim i ri që do t’i siguronte Kosovës statusin e shtetit vëzhgues në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Sipas Pacollit, serbët dhe të gjithë të tjerët, që kanë njohuri procedurale të procesit të anëtarësimit në OKB e dinë shumë mirë se Kosova, me numrin e madh të njohjeve që i ka siguruar nuk ka vështirësi që ta sigurojë këtë status edhe sikur të aplikojë për të brenda këtij viti.
“Andaj, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate për Kosovën, rajonin, BE-në dhe komunitetin ndërkombëtarë është anëtarësimi i saj i plotë në Kombet e Bashkuara dhe njohja e saj nga Serbia”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Më poshtë keni postimin e plotë:
Po vërej se si mediat serbe vazhdojnë propagandën e oborrit qeveritar serb, fatkeqësisht edhe nëpërmjet mediave të Kosovës, duke raportuar për kinse propozime të reja “të statusit të vëzhguesit të vendit tonë në OKB”.
Serbët dhe të gjithë të tjerët, që kanë njohuri procedurale të procesit të anëtarësimit në OKB e dinë shumë mirë se Kosova, me numrin e madh të njohjeve që i ka siguruar nuk ka vështirësi që ta sigurojë këtë status edhe sikur të aplikojë për të brenda këtij viti.
Andaj, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate për Kosovën, rajonin, BE-në dhe komunitetin ndërkombëtarë është anëtarësimi i saj i plotë në Kombet e Bashkuara dhe njohja e saj nga Serbia.