Ideja e presidenti Hashim Thaçi për të iniciuar pajtimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve u kundërshtua ashpër nga deputetët e dy taborëve, nga ish-guerilët e UÇK-së dhe familjet e të pagjeturve.
Sipas tyre, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve kurrë nuk do të ketë pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Vetë Thaçi këtë iniciativë e quajti të vonuar.
Iniciativa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ta themeluar një komision për të vërtetën dhe pajtimin mes shqiptarëve e serbëve konsiderohet i paefektshëm, sidomos pasi autoritetet serbe vazhdojnë t’i fshehin gjurmët për zhdukjen edhe të 1600 kosovarëve.
Po ashtu deputetë nga pozita e opozita, njëherësh ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vlerësuar se më mirë do të ishte të zbardheshin vrasjet e pasluftës sesa të themelohej komisioni në fjalë, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndërsa përfaqësuesit e familjeve të zhdukur thonë se kurrë nuk do të ketë pajtim me serbët pa u zbardhur fati i më të dashurve të tyre.
Këto reagime u dhanë vetëm dy ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë nismë e ka cilësuar si të vonuar, megjithatë, siç është shprehur ai, Republika e Kosovës është shteti i parë në Ballkan që ka ndërmarrë këtë iniciativë.