Gazetare: Fatlume Dervishi
Ligjet e ngecura në Kuvend që kanë të bëjnë me administratën publike, marrëdhëniet e punës dhe të tjerë që janë në kompetencë të resorit përkatës, janë arsyeja që nxitën zërat për një dorëheqje të mundshme në shenjë revolte të ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu. Ligjet janë me flamur të Bashkimit Evropian megjithatë për to nuk ishte caktuar seancë në Komisionin për çështje evropiane me të cilin udhëheq kuadri i BDI-së, Arbër Ademi.
Më vonë, jozyrtarisht u mësua për një marrëveshje të mundshme mes Aliu dhe LSDM-së e BDI-së nga ana tjetër dhe ligjet do të procedohen së shpejti në Kuvend.
Dorëheqja eventuale e Aliut mund të interpretohej si pakënaqësi mes partnerëve të koalicionit, me largimin e disa kuadrove të Aleancës për Shqiptarët nga qeveria.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk ka nevojë që asnjëri nga ministrat të deponojë dorëheqje.
“E gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje të enjten rreth orës 10 e mëngjesit kështu që asnjëri nga ministrat nuk ka nevojë të japë dorëheqje sepse me dorëheqjen e kryeministrit edhe qeveria është në dorëheqje. Ministri Aliu është person me cilësi. Bëhet fjalë për një profesionist të jashtëzakonshëm. Gjithë ky diskutim është në drejtim të ligjeve të cilat ministria e tij i ka propozuar në Kuvend dhe për të cilat e di se tashmë po përgatitet debat në Kuvend. Ka deputetë që kanë qëndrime të ndryshme për këto ligje, për administratën publike, për marrëdhënie pune, por ministri Aliu do të ketë mundësi të gjithë këtë ta prezantojë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Aliu pritet ta bëjë të ditur qëndrimin e tij final në një konferencë për media të paralajmëruar për orët e pasditës. /Alsat.mk