Pika e përbashkët kufitare Kosovë-Serbi në Mutivodë është funksionalizuar që nga korriku i këtij viti, ndonëse kjo është dashur të ndodhte në vitin e kaluar.
Ndonëse pala kosovare është vendosur në objektin e ri të financuar nga Bashkimi Evropian, pala serbe vazhdon të qëndrojë në objektin e vjetër duke mos e respektuar marrëveshjen, raporton KTV.
Por, sipas shoqërisë civile, kjo marrëveshje është vështirë e realizueshme, pasi Serbia refuzon të bashkëpunojë.
Andaj, Violeta Haxholli nga KDI-ja thotë se për marrëveshjet e arritura me Serbinë duhet të bëhet vlerësim, ose ato duhet të rinegociohen.
Marrëveshja e Menaxhimit të Integruar të Kufirit është arritur në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, në vitin 2011.
Dren Zeka, ish-anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet në Bruksel, ka thënë se mungesa e dialogut teknik në këto dy vjetët e fundit, ka bërë që të ngecë edhe zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje.
Përderisa nga Zyra e Bashkimit Evropian kanë thënë se pas përfundimit të pikës së përbashkët të kalimit në Mutivodë, autoritetet serbe duhet t’i lirojnë ambientet e përkohshme.
Në shtator të 2014-s, BE-ja vendosi që me fondet e IPA-së të ndërtojë në këto lokacione pikëkalime kufitare të reja. Shuma e ndarë për të gjashtë pikëkalimet kufitare ishte rreth 24 milionë euro.