Jurisiti thotë se arsimi në vend është jocilësor për shkak se sistemit aktual të financimit i mungojnë mekanizmat që stimulojnë cilësinë dhe ndëshkojnë mungesën e cilësisë. Sipas tij, përqendrimi i sistemit aktual të financimit të arsimit tek shërbyesit e sistemit të arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) nuk është i paqëllimshëm.
“Përkundrazi, politikanët që kanë instaluar këtë sistem të financimit qëllimisht janë përqendruar tek shërbyesit e arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) pasi që – me përjashtimet që duhet të respektohen – ata i kanë identifikuar shërbyesit e arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) si votues të mundshëm apo si pozita në të cilat do të mund të vendoseshin militantët partiak për shërbimin e kryer gjatë zgjedhjeve”, shkruan Pallaska, transmeton lajmi.net
Shkrimi i plotë i tij:
Për një model të ri të financimit të arsimit në Kosovë
Rankimi i turpshëm i Kosovës në raportin e PISA-së është gjithçka përveç se lajm.
Të gjithë e kemi përjetuar në një mënyrë apo tjetër gjendjen e mjerë të arsimit në vend, e cila po përkeqësohet çdo vit e më shumë. Për këtë arsye nëse sot dëshirojmë të debatojmë për gjendjen e arsimit në vend nuk mjafton konstatimi i ashiqares. Nëse përnjëmend jemi të interesuar të adresojmë këtë kancer shoqëror duhet të shqyrtojmë ide jo-konvencionale që nuk adresojnë vetëm manifestimin e jashtëm por vetë burimin e këtij problemi.
Arsimi në vend është jocilësor për shkak se sistemit aktual të financimit i mungojnë mekanizmat që stimulojnë cilësinë dhe ndëshkojnë mungesën e cilësisë. Një vështrim sipërfaqësor i mënyrës së financimit të arsimit në vend tregon se ne sot financojmë pa kushte shërbyesit e arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) sikur ata të ishin arsyeja kryesore dhe e vetme e ekzistimit të sistemit të arsimit në vend.
Përkatësisht, ne ndajmë para publike pa kushte për institucionet publike të arsimit pavarësisht cilësisë së mësimdhënies që ofrohet aty. Këtë buxhet e ndajmë në emër të një përpjekje të rrejshme për t’i ofruar secilit përfitues të arsimit (nxënës/student) edukimin adekuat me një çmim të përballueshëm. Ky sistem i financimit është i gjykuar në dështim pasi që në përqendrim ka shërbyesit e sistemit të arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) dhe jo përfituesit e sistemit të arsimit (nxënësit/studentët).
Përqendrimi i sistemit aktual të financimit të arsimit tek shërbyesit e sistemit të arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) nuk është i paqëllimshëm. Përkundrazi, politikanët që kanë instaluar këtë sistem të financimit qëllimisht janë përqendruar tek shërbyesit e arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) pasi që – me përjashtimet që duhet të respektohen – ata i kanë identifikuar shërbyesit e arsimit (mësuesit/arsimtarët/profesorët) si votues të mundshëm apo si pozita në të cilat do të mund të vendoseshin militantët partiak për shërbimin e kryer gjatë zgjedhjeve. Ky fenomen vërehet më së miri gjatë fushatave zgjedhore kur organizohen takime të mëdha me shërbyesit e sistemit të arsimit apo kur pas ardhjes në pushtet partitë politike vendosin në pozita të shërbyesve dhe administratorëve të sistemit të arsimit militantë partiak pa përgatitje minimale shkollore.
Alternativa që duhet të shqyrtojmë është sistemi i “çekut për arsim” që përqendrohet tek financimi i përfituesve të sistemit të arsimit (nxënësi/studenti). Ky model i financimit – që fillimisht është propozuar nga ekonomisti nobelist Milton Friedman dhe aktualisht zbatohet me sukses edhe në disa shtete skandinave – përmirëson cilësinë e arsimit dhe efektshmërinë buxhetore duke stimuluar konkurrencën ndërmjet ofruesve të arsimit, si përbrenda sektorit publik ashtu edhe të ofrueseve të arsimit të sektorit publik me ofruesit e arsimit të sektorit privat.
Në thelb, sistemi i “çekut për arsim” parasheh që shteti – në vend të financimit pa kushte të institucioneve arsimore publike që prodhojnë padituri – t’i jap nxënësit/studentit (apo prindërve të tyre për ata që janë nën moshën madhore) një “çek për arsim” të cilin vetë përfituesit e arsimit mund ta shfrytëzojnë/përdorin në institucionin arsimor që ofron cilësinë më të mirë. Sipas këtij modeli të financimit, institucionet arsimore që nuk ofrojnë arsim cilësor mbyllen. Ndërsa, institucionet arsimore që ofrojnë arsim cilësor zhvillohen dhe rriten.
Disbalanci në shtrirjen gjeografike të institucioneve arsimore – që mund të krijohet për shkak të efekteve të konkurrencës sipas këtij modeli të financimit – mund të adresohet në dy mënyra, me kërkesën që një shtrirje minimale gjeografike të mirëmbahet dhe që distanca gjeografike brenda një hapësire të caktuar gjeografike të mbulohet me transport cilësor dhe të sigurt të financuar nga paratë publike.
“Çeku për arsim” jo vetëm që stimulon konkurrencën ndërmjet ofruesve të arsimit, qofshin ata publik apo privat, por edhe siguron vendimmarrjen e përfituesve të arsimit në politikat arsimore. Thjesht, përfituesit e arsimit kanë mundësi të ndëshkojnë mungesën e cilësisë në secilin semestër. Këtë mund ta bëjnë pa ndërmjetësimin e politikanëve të zgjedhur që sistemin e arsimit e kanë shndërruar në instrument të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Njëkohësisht, “çeku për arsim” do të mbrojë sistemin e arsimit nga keqpërdorimi për qëllime elektorale që arsimin e ka sjellë në këtë gjendje të mjerë.
E di që ky propozim është jo-konvencional. Por gjendja në të cilën gjendemi kërkon të mendojmë jashtë kornizave të zakonshme. Në fund të ditës, shërbimi më i shtrenjtë nuk është shërbimi me çmimin më të lartë por shërbimi të cilin nuk e merr asnjëherë.