Filmimet e kamerave të sigurisë që ka siguruar policia kanë zbuluar dinamikën e krimit që tronditi Shkodrën mëngjesin e të dielës. Mësohet se në momentin që qëlloi Boran Bërçanën dhe Silvi Ndocin, autori ka qenë i pamaskuar.
Vrasësi ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër që qëndronte në drejtimin e mjetit tip “Mercedez Benz”, në lagjen “Naim Gjylbegu në Shkodër”. Mjeti është parkuar jashtë rrugicës ku jetonte me qira çifti i bashkëjetuesve. Vrasësi ka marrë armën në makinë dhe iu është drejtuar të dy viktimave. Ai ka qëndruar në anën e xhamit të shoferit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Ekzekutimi ka zgjatur pak sekonda. Autori është siguruar që çifti ka vdekur, ka parë fëmijën në makinë dhe është larguar sërish andej nga ka ardhur, duke hipur në automjetin që po e priste dhe bashkë me drejtuesin e mjetit janë larguar drejt lagjes “Kiras”, ku mësohet se u braktis dhe makina, për t’ju vënë flaka pranë rrugës nacionale Shkodër-Koplik.
Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë të një subjekti privat pranë banesës së çiftit, ndërkohë që materiali filmik është dërguar në Tiranë ku priten të zbulohen të dhëna lidhur me identitetin e autorit, mbi të cilin deri tani nuk ka asnjë të dhënë.
Autori ka qëlluar 23 herë drejt çiftit.
Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci u vranë mëngjesin e djeshëm në një tunel afër pallatit të tyre në Shkodër. Çifti kishte darkuar dhe ngjarja ka ndodhur kur ata po parkonin në makinën e tyre poshtë banesës ku jetonin me qira. Çifti kishte me vete edhe fëmijën 2 vjeç, që fatmirësisht shpëtoi pa lëndime./lapsi/