Pamundësia e kombit kosovar dhe mosinteresi për bashkim

E premte, 28 Tetor 2016  –  Sakte.net

Nga: Ardian Muhaj

Shqiptaria i ka sot dy shtete teorikisht sovrane, dy republika të pavarura, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Përveç këtyre dy shteteve të pavarura, shqiptaria e ka edhe një shtet në të cilin shqiptarët nuk janë të pavarur, por në fakt pavarësia e atij shteti varet nga shqiptarët, Republika e Maqedonisë. Në këtë të fundit duket se shqiptarët po e sakrifikojnë pavarësinë e tyre për pavarësinë e atij shteti. Mirëpo, e vërteta dhe realiteti po tregon se edhe pavarësia e dy shteteve shqiptare, në fakt nuk është e plotë. E dëshmon këtë vetë ekzistenca e shteteve tona. Dy shtete të pavarura shqiptare nuk qëndrojnë të ndara, por bashkohen. Pavarësia jonë fiktive është e tillë që jemi të pavarur nga njëri-tjetri, por jo nga të tretët, nga të huajt, nga ndërkombëtarët, nga komshinjtë.

Është kënaqësi kur dëgjon politikanët tanë, që flasin me gjuhën më të bukur që mund të imagjinohet edhe nga nobelistët më të mëdhenj të letërsisë, rreth nevojës së dialogut mes fqinjëve, mes popujve, rreth domosdoshmërisë për të parë drejt të ardhmes, rreth rëndësisë dhe përparësisë së padiskutueshme të integrimit europian të popujve që historikisht kanë qenë në konflikt, sidomos në Ballkan.

Fqinjët duhen respektuar dhe pse jo edhe dashur, nëse e meritojnë. Fqinjësia e mirë është një nga shtyllat e qytetërimit. Shkalla e qytetërimit të një populli, pikë së pari matet me aftësinë për të krijuar marrëdhënie të drejta me popujt që e rrethojnë. Mirëpo, nuk ka mundësi të ketë paqe në botë pa pasur paqe në shtëpi. Nuk ka mundësi të bashkohesh me Norvegjinë e Serbinë pa u bashkuar me Kosovën. Duhet të jesh naiv ose joserioz të mendosh se, më së pari duhet të integrohemi me Greqinë, se sa me Kosovën.

Në pamje të parë duket se bashkimi kombëtar i antikombëtarëve është në një fazë më të avancuar se bashkimi kombëtar i kombëtarëve. Thënë ndryshe, në dukje prirjet përçarëse duken më të forta se sa ato përbashkuese. Por kjo vetëm në dukje sepse realiteti nuk është në favor të përçarësve. Sot po diskutohet shumë rreth çështjes së raporteve mes dy shteteve shqiptare, dhe një numër shqipnitaristësh të vonuar, tejet të vonuar, po përpiqen me zor të kuptojnë realitetin politik sot në Ballkan. Ata që gjithmonë kanë menduar se Kërçova është në Kosovë, se Kosova është në Serbi, se Tuzi është në Maqedoni, janë zgjuar nga injoranca e tyre dhe flasin mbarë e prapë kundër shtetit të Kosovës.

Kosova “ahtisariane” ka po aq të drejtë historike të jetë shtet i pavarur e sovran, sa e ka pasur edhe Shqipëria “londineze” këtë të drejtë përgjatë më se një shekulli. Nëse shqiptarët e Kosovës i janë gëzuar ekzistencës së një shteti shqiptar të pavarur përgjatë një shekulli, ashtu duhet t’i gëzojë edhe shqiptarët e Shqipërisë “londineze” ekzistenca e një shteti të pavarur të Kosovës. Të flasësh kundër pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës është një absurditet që nuk i lejohet as një kinezi ta bëjë, jo më një shqiptari të cilësdo anë të kufirit shqiptaro-shqiptar. Nga ana tjetër, ata që janë për pavarësinë e Kosovës, por jo për bashkimin kombëtar, janë po aq shqiptarë sa ç’është edhe një japonez.

Nuk mund ta duash bashkimin kombëtar, nëse nuk i do të gjitha trojet shqiptare dhe nuk mund ta duash bashkimin europian, nëse nuk e do bashkimin kombëtar. Bashkimi europian pa shqiptarët e bashkuar, është iluzion. Është një gënjeshtër, që pavarësisht sa herë përsëritet e pavarësisht rëndësisë së autoritetit apo mediumit që e thotë, nuk kalon përtej një rrene të pacipë.

Problemi sot nuk është jetësimi i pavarësisë së Kosovës, por pavarësia fiktive e Shqipërisë. Shteti shqiptar që nga 1913 jo vetëm e ka pasur integritetin e vet të cunguar, por po ashtu të cunguar e ka pasur edhe sovranitetin. Kemi pasur një gjysmë shteti shqiptar me gjysmë sovraniteti. Shteti shqiptar asnjëherë gjatë gjithë ekzistencës së tij njëshekullore, nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë zyrtar për bashkimin kombëtar. Asnjëherë nuk ka qenë aq sovran, sa të shtrojë në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare dëshirën, apo aq më tepër kërkesën, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare shteti shqiptar i cunguar në territor dhe me sovranitet të cunguar, ka shtruar vetëm atë çka i është lejuar të shtrojë dhe jo atë çka është dashur, apo i është dashtë të shtrojë. Kështu kemi arritur në pikën, që këtë sovranitet të mangët, këtë kufizim, e kemi parë si sovranitet të mirëqenë, si plotësi. E keqja më e madhe është se ne si shqiptarë kemi përbrendësuar si të natyrshme kufizimet që realpolitika na ka imponuar. Politika shqiptare i paraqet kufizimet dhe imponimet e diplomacisë ndërkombëtare si synimet dhe dëshirat e shqiptarëve. Kjo është tejet e dëmshme dhe çorientuese. Nëse Brukseli, Parisi, Londra, Moska, Uashingtoni a Pekini, ua bën të qartë politikanëve tanë se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është një opsion i pranuar prej tyre, kjo duhet të përcillet besnikërisht tek opinioni shqiptar si një kërkesë e këtyre fuqive dhe jo si një dëshirë e shqiptarëve.

Sovraniteti i shtetit të Kosovës e plotëson dhe nuk e zvogëlon sovranitetin e shtetit të Shqipërisë, dhe anasjelltas. Sovraniteti i shtetit të Kosovës edhe ashtu i cunguar siç është, e bën diplomacinë e Tiranës që në marrëdhëniet me Serbinë të ndihet aq komode sa të kërkojë mirëkuptim e bashkëpunim për zhvillimin ekonomik e për integrimin europian. Mirëpo, të gjithë e dimë, dhe shqipnitaristët e vonuar, tejet të vonuar, duhet ta dinë se një Kosovë shqiptare pa këtë sovranitet të kufizuar, do të na sillte një situatë krejt tjetër gjeostrategjike dhe diplomatike.

E shembullon këtë rasti i marrëdhënieve me Greqinë. Gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë ka krijuar një situatë të vështirë dhe kërcënuese për shtetin shqiptar. Për çudinë e shqipnitaristëve të vonuar, presioni dhe ndërhyrja greke në punët e Shqipërisë nuk ka ndaluar me dëbimin e shqiptarëve të Greqisë. Lëshimi pe nga njëra anë, nuk garanton se edhe ana tjetër do të ndalojë së tërhequri. Prandaj, për diktatorin Hoxha, mosreagimi dhe afrimi me Greqinë pas dëbimit të shqiptarëve çamë mbas Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë dukur një opsion perfekt për të zgjidhur përfundimisht problemet me Greqinë. Por nuk rezultoi kështu. Harrimi i Çamërisë nga ana e shtetit shqiptar nuk ndikoi aspak në lehtësimin e agresivitetit diplomatik grek ndaj shtetit shqiptar. Harrimi i Çamërisë nuk e shmangu abrogimin de facto të autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, as kërkesat absurde për varreza ushtarësh grekë në tokat kufitare, as grabitjen e detit, as vazhdimin e procesit të helenizimit të ortodoksëve shqiptarë edhe sot e kësaj dite. Nuk ishim dhe as nuk u bëmë dy popuj miq, siç fantazonte diktatori.

Ngjashëm edhe me harrimin ndaj detyrës së bashkimit kombëtar, edhe me përpjekjen për të përbuzur sovranitetin e Kosovës, edhe me përpjekjen për të pretenduar se sovraniteti i Kosovës është caku i fundit i interesit tonë kombëtar, edhe me spekulimin e bashkimit shqiptar në një Europë të Bashkuar, mos të na gënjejë mendja se do e bëjmë gjumin e qetë, se fqinjët do të na lënë rehat. Mos të rrejmë veten se nëse biem dakord me cenimin e integritetit, do të arrijmë te garantimi i sovranitetit. Integriteti i cunguar është sovranitet i cunguar. Populli i copëtuar nuk është i lirë.

Dorëheqja nga përpjekja për bashkim kombëtar, nuk garanton dorëheqjen e fqinjëve nga orekset e tyre. Bashkimi kombëtar nuk është tjetër veçse një strategji vetëmbrojtëse. Idealizmi që e mvesh buron nga dobia dhe lidhja e tij me realizmin e lirisë sonë. Nuk do të jemi të lirë e as të përparuar pa qenë të bashkuar, dhe madje edhe nëse bashkohemi prapë nuk do të jemi të lirë nëse përçahemi. Problemi është se jemi aq të robëruar, saqë përpiqemi të përçahemi, kur në fakt jemi më keq se të përçarë. Jemi të ndarë e të copëtuar. Nuk e kemi luksin të përçahemi, se jemi akoma edhe më keq: jemi të copëtuar.

Ata që irritohen nga kosovarizmi i deklaratës së ministrit Enver Hoxhaj dhe nuk e kuptojnë, se kontribuuesi më i madh i kosovarizmit ka qenë diktatori pothuajse homonim i Shqipërisë, janë thjesht krahinaristë që kurrë nuk e kanë kuptuar idenë e shqiptarisë. Të ndash Kosovën nga Shqipëria, siç e deklaroi ministri Hoxhaj, është e njëjta gjë sikur të ndash Shqipërinë nga Kosova, siç e ka bërë në realitet sa qe gjallë diktatori Hoxha. Nëse fjala e një ministri të djeg më shumë sesa vepra antikombëtare e pushtetarit më afatgjatë në historinë tonë, atëherë jo vetëm që je një shqipnitarist i vonuar, por akoma nuk ke lindur.

I kemi sot në Tiranë e Prishtinë dy ministri të Integrimit Europian, por që nuk e kanë fare objekt integrimin shqiptar. Me zhvillimet e fundit po shihet një prirje paralele integruese veç asaj europiane. Po vërehet qartë edhe një prirje pozitive për integrime e përafrime ballkanike. Megjithatë krejt këto integrime e përafrime, kontinentale e rajonale ballkanike nëse lënë në plan të tretë apo të katërt integrimin dhe përafrimin ndërshqiptar, janë aq “contra natura”, saqë do rezultojnë thjesht e qartë në një izolim të ri të shqiptarëve. Rrezikojmë të përfundojmë të izoluar nga bota dhe të përçarë mes vete, të izoluar për së jashtmi e për së brendshmi. Të flasësh për integrime europiane e ballkanike pa e përmendur fare integrimin shqiptar, do të thotë të flasësh thjesht e shqip: përçart.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme