Vëzhgues të proceseve zgjedhore i kanë cilësuar të paarsyeshme dështimet e Komisionit Qendror Zgjedhor, sikurse pamundësimi i diasporës që të votojë në zgjedhjet e 11 qershorit, mungesa e fushatës për edukimin e votuesve, si dhe bartja e përgjegjësive tek misioni i OSBE-së për katër komunat veriore, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tyre, KQZ-ja është institucion i përhershëm dhe do të duhej të hartojë strategji, edhe kur zgjedhjet mbahen jashtë afatit të rregullt kushtetues.
Problemet teknike ia kanë pamundësuar aplikimin për të votuar një numri të kosovarëve që gjenden jashtë vendit. Arsyetimi i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, ka qenë se kjo është kostoja e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme brenda tridhjetë ditësh.
Por KQZ-ja është institucion me mandat të përhershëm dhe, sipas ligjit, duhet të jetë gati për operacionet zgjedhore edhe kur ato mbahen para afatit të rregullt.
Sa i përket regjistrimit të diasporës, në njërën prej mbledhjeve të fundit KQZ-ja është ankuar se nuk ka funksionuar e-maili dhe se ata me ligj nuk janë obliguar ta aplikojnë këtë metodë, porse kanë dashur ta fusnin si inovacion për zgjedhjet e 11 qershorit.