Nëse s’ka koalicion me LDK-në, Vetëvendosje do të kërkojë edhe alternativa tjera.
Ky është mesazhi që dha mbrëmë nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca në një debat televiziv në T7, ku la të kuptohej se partia e tij mund të negociojë edhe me subjekte tjera për arritjen e koalicionit qeverisës, gjithnjë në situatën nëse dështon marrëveshja me LDK-në, shkruan lajmi.net.
Deklarata e Konjufcës vije në një periudhë kur partitë e PAN-it, PDK, AAK e Nisma janë pozicionuar qartë se do të qëndrojnë jashtë qeverisë për katër vitet e ardhshme mandat.
E përfundimisht, PAN-i ia ka mbyllur dyert Vetëvendosjes për bashkëngjitjen në koalicion qeverisës.
Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për lajmi.net ka thënë se të gjithë deklaratat e deritanishme të zyrtarëve të VV-së e LDK-së për harmonizimin e programit qeverisës, kanë qenë vetëm farsë.
Sipas saj, duhet të pritet, e të vërtetohet fakti që këto dy parti nuk janë për qeverisjen dhe të mirën e vendit.
“Gjithçka qenë farso. Pra deklaratat për harmonizimin e programit kanë qenë farso. Unë mendoj që duhet t’i presim deri në fund për me e pa që ata nuk janë për qeverisje dhe për të mirën e vendit. Pra Aleanca është në opozitë dhe këtë do ta dëshmojmë edhe në të ardhmen. Më vjen keq për këto ditë që po humbin”, thotë Haxhiu.
Sipas Haxhiut, të gjitha zhvillimet e fundit të ndodhura në skenën politike, kanë treguar se VV e LDK janë të etura për pozita të rëndësishme qeveritare më shumë se të gjitha subjektet tjera.
“Gjithçka që po diskutohet, pra për amiciet për president dhe të tjera po tregon se ata janë të interesuar më shumë se të gjithë për pushtet dhe për ulëse se sa për interes të popullit”, ka thënë në fund Haxhiu.
Se mes VV-së e LDK-së ka çarje për pazare politike po e thonë edhe nga Nisma Socialdemokrate.
Ish-deputeti nga ky subjekt, Enver Hoti, për lajmi.net thotë se VV dhe LDK janë aktualisht në garë se cila prej tyre do t’i “kap” pozitat më të mëdha në pushtet.
“Nuk ka ngecje në bisedimet VV dhe LDK, ka ngecje për këtyre dy partive për ndarjen e pazarit. Vetëvendosje ka akuzuar vazhdimisht partitë tjera, dhe ajo i ka quajtur pazare. Pra këto janë pazare se kush po i kap pozitat më të mëdha në pushtet”, ka thënë ai.
Duke mos dhënë refuzim decidiv për një koalicion me VV-në, Hoti thotë se kjo parti ka bërë gabim trashanik me retorikën e saj karshi partive tjera parlamentare.
Sidoqoftë, ai thotë se Nisma do të jetë e hapur për bashkëpunim në Kuvend.
“Vetëvendosje ka bërë gabim trashanik kur ka vën vija të kuqe për partitë parlamentare. Kjo është papjekuri politik. Është fat i Kosovës që Nisma ka kaluar pragun, dhe do të bëjmë më të mirën të mundshme në funksion të së mirës së qytetarëve. Ne jemi në Kuvendin e Kosovës dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar me secilin që ka për interes bashkëpunimin në interes të vendit”, ka thënë Hoti.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare edhe nga dikush prej zyrtarëve të PDK-së, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm.
Nga ajo që mëson lajmi.net, Partia Demokratike e Kosovës, konkretisht kryetari Kadri Veseli ka mbajtur sot një takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie.
Aty është arritur dakordim që mos të ketë deklarime sa i përket koalicioneve që po përmenden në opinion, në atë formë që mos të shkaktohet konfuzitet rreth qëndrimit të kësaj partie, të dhënë vetëm pak orë pas zgjedhjeve, se PDK qëndron në opozitë.
Në fakt, një qëndrim të tillë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e kishte shprehur në konferencën e 6 tetorit, pak orë pas mbylljes së vendvotimeve, ku kishte pranuar humbjen dhe ku kishte definuar qëndrimin e këtij subjekti në opozitë.
Kujtojmë, se para e pas zgjedhjeve VV e LDK kanë nisur negociatat për arritjen e një marrëveshjeje qeverisëse.
Pas zgjedhjeve, këto dy parti si të parat u dakorduan për programin qeverisës, por ngecjet u shfaqën në ndarjen e posteve, aty ku LDK kërkon që me çdo kusht t’i sigurohet pozita e presidentit.
Një kusht i tillë nga VV-ja po konsiderohet si i papranueshëm, pasi që sipas tyre, negociatat dhe marrëveshja duhet të fokusohet në plotësimin e vendeve që aktualisht janë bosh, ajo e kryeministrit dhe e kryeparlamentarit.