Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka dalë kundër idesë së Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh me Serbinë. Ka thënë se kjo ide s’mund të realizohet pasi ndryshimi i kufijve s’bëhet mbi dëshira kombëtare.
Majko i ka mbajtur akademik Rexhep Qosjes leksione të marrëdhënieve ndërkombëtare duke i shpjeguar se kufijtë janë të shënjuar mbi garancitë ndërkombëtare dhe e rregullave në bazë të të cilave shteti bëhet anëtar i Kombeve të Bashkuara.
“Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare. Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar”, ka shkruar Majko, në reagim.
“Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka shtuar ai.
Deputeti i PS’së ka thënë se nga Qosja ka mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që dalin fitues, prandaj, edhe ka dalë kundër propozimit të tij për ndryshim kufijsh.
“Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?””, ka shtua ai.
Rexhep Qosja ka shpjeguar idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë duke thënë se këtë po e bën për të shpëtuar Kosovën nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe. Ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë është ide për të mos lejuar shtete të vogla të Serbisë brenda Kosovës.