Pantina kërkon komision hetimor për keqpërdorimet e RTK-së

Lëvizja Vetëvnedosje, vlerëson se televizioni publik është bërë shembull i keq keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të taksave të taksapaguesve të Kosovës, si dhe i keqpërdorimit të hapësirës mediale publike për interesa të ngushta personale e klanore.

Grupi parlamentar i kësaj Lëviizje kërkon shkarkimin e menjëhershëm të bordit dhe të menaxhmentit të RTK-së.

Në të njëjtën kohë grupi më i madh opozitar në Kuvend kërkon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar që do të hidhte dirtë mbi të gjitha keqpërdorimet që i janë bërë këtij institucioni.

Ky është njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

“Deputetja Shqipe Pantina gjatë konferencës për shtyp të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për transmetuesin publik RTK, i ka dhënë këto deklarata dhe informacione të tjera që tregojnë funksionimin në mënyrë të dyshimtë të televizionit publik.

“Përkundër faktit që RTK merr nga buxheti i Kosovës rreth 10 milionë euro çdo vit, asnjeherë nuk ka raportuar se si i ka shpenzuar këto para. Përkundër buxhetit të madh, ky institucion është i mbytur në borxhe. Borxhi i RTK-së, tashmë ka arritur në 7 milionë euro. Për më keq, askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë keqmenaxhim shkatërrues në këtë institucion”, tha deputetja Pantina, duke shtuar se vetëm muajin e fundit RTK-së i janë marrë nga llogaria 160.000 euro nga përmbaruesit privatë.

Më tej, ajo  deklaroi se përkundër që borxhi i RTK-së po rritet, vazhdon mbipunësimi në këtë institucion publik. Sipas të dhënave, numri i njerëzve që marrin paga nga RTK kap shifrën 950, ku në mesin e tyre njerëz të pushtetit, familjarë e bashkëpartiakë.

“Në mesin e këtyre njerëzve që marrin paga nga RTK është edhe bashkëshortja e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, e cila është e angazhuar si lektore tek emisioni ‘Vikendi’, dhe për këtë paguhet hiç më pak se 1000 euro në muaj. Dhe më siguri kjo është lektorja më e paguar jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, deklaroi Pantina.

Pantina tha se përkundër numrit të madh të punëtorëve, RTK nuk prodhon emisione, por shpenzon shuma të majme në blerjen e tyre, duke përmendur emisionin ‘Vikendi’ dhe ‘Super Sfida’, të cilët i kushtojnë taksapaguesve 280.000 euro në vit. E përveç kësaj, RTK ka filluar edhe blerjen e kronikave të lajmeve, gjë e cila është shkelje e ligjit. Si dhe ka përmendur shembuj të nepotizmit, siç është rasti me punësimin e vajzës së deputetës nga PDK, Xhevahire Izmarku, si përkthyese, dhe vëllait të deputetes tjetër Blerta Deliu në prokurim.

Pantina ka folur edhe për politikat editoriale të këtij medium, që janë kryefund në shërbim të pushtetit, përkatësisht Kadri Veselit.

“Brenda një dite ta zënë nga 13 lajme të publikuara në ëebfaqen e televizionit publik, 11 nga to janë për PDK e 9 prej tyre vetëm për Kadri Veselin. Cilido monitorues profesionistë që do të raportonte për veprimtarinë e RTK-së do të pyeste me të drejtë se a është Radio Televizion i Kosovës apo Radio Televizioni i Kadriut”, potencoi Pantina.

Ajo ka përmendur edhe sulmet e kërcënimet që ia bën RTK pjesëtarëve të Sindikatës së punëtorëve sa herë ata denoncojnë keqpërdorimet. E po ashtue edhe afërsinë e menaxhmentit të RTK-së me klanin Pronto, që shihet përmes takimeve të dokumentuara me fotografi, ku planifikojnë e organizojnë fushatën propagandistieke për këta të fundit.

Radio Televizioni i Kosovës duhet t’i kthehet punëtorëve  profesionistë, të ndershëm, e të pakompromistë, për të menaxhuar me të duke iu kthyer në këtë mënyrë atyre që u takon vërtetë, qytetarëve të Republikës së Kosovës.