Kryeministri Ramush Haradinaj ia ka kërkuar njohjen e Kosovës Papa Françeskut, por nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga ai. Papa vetëm i ka thënë se do të lutet për Kosovën.
Haradinaj e ka bërë të ditur këtë në një konferencë shtypi që e ka organizuar të premten në Prishtinë, e në të cilën ka folur për vizitën zyrtare që e ka pasur në Vatikan, kryeqendrën e komunitetit katolik, shkruan sot Koha Ditore.
“E kisha përgatitur me kohë një dhuratë për të, një dhuratë shumë të çmuar, një letër-kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Pata mundësinë që përpos ta falënderoj për kujdesin, për respektin që bënë për Kosovën, me ia shprehë edhe këtë kërkesë të popullit të Kosovës, duke i thënë se populli i Kosovës e ka shpresën tek ju, i ka sytë kah ju dhe pret prej juve”, ka thënë kreu i Qeverisë.
“Ai ishte vërtet i hapur. Pasi që mori kërkesën u kthye dhe m’i tha këto fjalë: ‘E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndiej. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj’. Ai ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i saj do ta gjejë vendin e vet në vendin e popujve të lirë dhe në paqe”.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se biseda kryesisht kishte qëllimin që lidhet me kërkesën, përkatësisht marrjen e njohjes.