Papastërtia / Kryeqyteti i zhytur në mbeturina, situatë e rëndë në më shumë lagje

Gazetare: Melihate Rustemi

Deponi mbeturinash po ngulfasin qytetarët e Shkupit, posaçërisht banorët e Komunës së Çairit dhe Butelit. Ekipi i televizionit Alsat gjatë ditës ka frekuentuar disa nga lagjet e këtyre komunave për të parë nga afër gjendjen tmerruese me mbeturinat të cilat përveçse janë derdhur gjithandej tashmë kanë nisur të bllokojnë edhe trotuaret për kalimtarët.

“Kjo ka dy javë e tepër që nuk e kanë heq aspak. Gjatë tërë dimrit kështu, njëherë në muaj ndoshta e pastrojnë. Vetëm kontejnerët i pastrojnë? Vetëm kontejnerët i zbrazin, ndonjëherë as ato nuk i pastrojnë. Mbase nuk i heqin ndoshta kështu duhet, çka të themi. Po e shihni edhe vet, kjo është vetëm sëmundje”, tha një qytetar.

“Unë jetoj në lagjen Shkup-Veri, e njëjta ndodhë edhe tek ne, çdo kund është njëjtë. Nuk e di përse nuk i mbledhin mbeturinat, vërtet nuk e kam të qartë. Gjysmën e mbledhin ndërsa gjysmën tjetër e lënë. A kundërmon erë e keqe? Po, po sigurisht. Nuk e di përse nuk punojnë, përse nuk pastrojnë, vërtet nuk e kam të qartë”, u shpreh një qytetare.

Sipas qytetarëve të anketuar, gjendja e këtillë me mbeturinat është rezultat i menaxhimit jo të mirë të kryetares së Shkupit, Danella Arsovska dhe ndërmarrjeve publike nën kompetencë të saj.

“Për tre katër orë nuk kryhet, nuk pastrohet qyteti. Prej se është Arsovska katastrofë në të gjitha anët. Po edhe sëmundje ka prej këtyre, më tepër duhet të ankohen këto të ndërtesave. Edhe mbrapa lagjes Dizhon e kanë mbush me mbeturina. A është rezultat se nuk ka mjaftueshëm kontejnerë dhe i hedhin kështu? Jo, nuk është e vërtet, ndryshe është me punu tetë orë e ndryshe tre orë. Unë i kam 67 vjet, përpara edhe pastronin rreth kontejnerëve, si ka hy Arsovska katastrofë. Nuk ka asnjë të mirë prej saj”, deklaroi një tjetër qytetar.

“Definitivisht po, nuk kam fjalë. Si ishte më parë. Më parë ishte më ndryshe edhe komunat punonin më shumë, gjithashtu Higjiena Komunale, Parqet dhe Gjelbëremet, mirëpo prej saj zero, vetëm zero”, theksoi një qytetar.

Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” thonë se punonjësit e tyre vazhdimisht janë në teren dhe brenda javës grumbullojnë mijëra tonë mbeturina. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme